ShowBizzz

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare Don Nelson, legjenda e NBA

Bota e basketbollit amerikan ka humbur Don Nelson, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së NBA-it amerikan, i cili u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Nelson la gjurmë si lojtar dhe trajner, duke ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme që shtrihet në disa dekada.

Si basketbollist i Boston Celtics, Nelson fitoi pesë tituj kampionë të NBA-it në periudhën 1966-1976. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai u kthye në një prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e basketbollit amerikan, duke drejtuar skuadra si Golden State, Milwaukee, New York dhe Dallas.

Në karrierën e tij si trajner, nga viti 1976 deri në vitin 2010, Nelson regjistroi 1,335 fitore dhe 1,063 humbje, një bilanc që e vendosi për një kohë të gjatë në vendin e dytë të trajnerëve me më shumë fitore në historinë e NBA-it. Rekordi i tij qëndroi deri në vitin 2022, kur u tejkalua nga Gregg Popovich.

Pavarësisht se nuk arriti të luante në finalet e NBA-së si trajner, Nelson u konsiderua një prej figurave novatore dhe më të veçanta të pankinës amerikane. Për kontributin e tij, ai u përfshi në Basketball Hall of Fame në vitin 2012. Pas përfundimit të karrierës, Nelson u tërhoq në Hawaii, ku zgjodhi një jetë larg presionit të basketbollit profesionist.

Në një rrëfim për “New York Times”, ai kishte treguar se ditët e tij i kalonte duke dalë me varkë, duke organizuar barbekju dhe duke kultivuar marihuanë. Don Nelson do të mbetet në historinë e NBA-së si një prej trajnerëve më të suksesshëm dhe më ndikues të brezit të tij, pavarësisht se titulli i mungoi gjatë karrierës së tij në pankinë.

Të Ngjashme