Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti kanë vizituar sot kantierin e ndërtimit në Jahoc të Gjakovës, ku kanë nisur punimet për ndërtimin e kompleksit të parë industrial të municioneve në Kosovë.
Sipas Maqedoncit, kompleksi po ndërtohet në një sipërfaqe prej 19 hektarësh, brenda rreth 140 hektarëve të ndarë nga Qeveria e Kosovës për industrinë e mbrojtjes në Gjakovë, ndërsa pritet të jetë fabrika e parë e kësaj natyre me prodhim “Made in Kosova”.
Ai ka bërë të ditur se, paralelisht me punimet në Kosovë, në Turqi është drejt përfundimit prodhimi i makinerisë prodhuese, laboratorëve dhe pajisjeve tjera teknike.
Ndërkohë, “së shpejti” personeli do të niset për specializim nga MKE në Turqi, para fillimit të prodhimit 100 për qind vendor. Maqedonci theksoi se në Kosovë do të prodhohen municione të kalibrit 5.56 mm dhe 7.62 mm, duke e cilësuar këtë projekt si “hap historik” drejt fuqizimit të industrisë së mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve shtetërore të sigurisë.
Në fund të reagimit, ai theksoi se Kosova po ndërton kapacitete strategjike dhe po ecën përpara.
