Lajme

Në orën 13:00 seanca për caktimin e paraburgimit ndaj dy të arrestuarve në rastin e “Grupit të Intelektualëve të Mitrovicës”

Prokuroria Speciale e Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të ndaluar në Zubin-Potok, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Abnora Luta.

Të ndaluarit, me inicialet M.J. dhe M.B., dyshohen në lidhje me rastin e varrezës masive të zbuluar në Zubin-Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të ekzekutuar nga forcat serbe gjatë luftës në vitin 1999.

Sipas Prokurorisë Speciale, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të prokurorit të rastit, institucionet kompetente kanë realizuar procesin e zhvarrosjes (ekshumimit), autopsisë dhe identifikimit të mbetjeve mortore në lokacionin ku u zbulua varreza masive në Komunën e Zubin-Potokut.

Të Ngjashme