Lajme

Në prag të vendimit në Hagë, Republika Srpska nis në Nju Jork ofensivë propagandistike për ‘vuajtjet e serbëve’

Qendra Memoriale e Republikës Srpska ka nisur në rrugët e Nju Jorkut fushatën propagandistike “Learn about Serbian suffering” (“Njihuni me vuajtjet e serbëve”), e cila prezantohet si një nismë për promovimin e kulturës së kujtesës për viktimat serbe.

Fushata përfshin një ekspozitë multimediale lëvizëse që kalon nëpër Manhattan dhe lokacione të tjera të frekuentuara, përfshirë zonën pranë selisë së Kombeve të Bashkuara. Në materialet e prezantuara përfshihen pretendime dhe të dhëna të rrene që, sipas organizatorëve, dokumentojnë vuajtjet e serbëve gjatë Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore dhe konflikteve në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990.

Ekspozita fokusohet te viktimat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, si dhe te viktimat e bombardimeve të NATO-s. Në të njëjtën kohë, nuk trajtohen krimet e dokumentuara të kryera nga forcat serbe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës dhe krimet e tjera në Bosnje e Kosovë të konstatuara nga gjykatat ndërkombëtare.

Fushata e tyre po zhvillohet në një periudhë kur çështjet që lidhen me luftërat e viteve 1990 vazhdojnë të jenë pjesë e debateve politike dhe historike në rajon, ndërsa proceset gjyqësore për krimet e luftës mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Në këtë kontekst, nisma është parë nga kritikët si pjesë e një përpjekjeje për të promovuar një narrativë që vë në plan të parë ekskluzivisht vuajtjet e serbëve, duke lënë në hije përgjegjësitë e regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe të forcave serbe për krimet e dokumentuara gjatë konflikteve.

Fushata është kritikuar si një përpjekje propagandistike që përdor kujtesën e viktimave për të ndërtuar një version të njëanshëm të historisë, duke përfshirë pretendime dhe pasaktësi historike dhe interpretime selektive të ngjarjeve, ndërsa lë jashtë kontekstin më të gjerë të luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë përgjegjësitë dhe krimet e dokumentuara të të gjitha palëve në konflikt.

Të Ngjashme