Nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës OR3 Leon Thaqi nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare të atletikës. Në garën e fundit të mbajtur në Gjermani, Thaqi u rendit në vendin e katërt në disiplinën e vrapimit 600 metra, duke regjistruar kohën prej 1 minute e 17 sekondash.
Me këtë rezultat, ai ka thyer rekordin shtetëror në këtë disiplinë, duke u pozicionuar si atleti më i shpejtë kosovar në 600 metra.
Ndërkohë, Leon Thaqi është një atlet profesionist që merr pjesë rregullisht në gara të ndryshme të stazës, përfshirë 400m, 600m, 800m dhe 1600m. Në kuadër të Federatës Atletike të Kosovës, ai ka përfaqësuar vendin në gara ndërkombëtare, duke treguar vazhdimisht performancë të lartë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Aktualisht, koha e tij në disiplinën 600 metra renditet në vendin e parë ndër atletët kosovarë, duke konfirmuar dominimin e tij në këtë kategori.
Arritjet e Thaqit janë dëshmi e qartë se përkushtimi dhe disiplina në ushtri mund të shoqërohen me sukses edhe në sport.
