Kompania Meta, pronare e Facebook dhe Instagram, po përballet me një prej betejave më të rëndësishme ligjore në historinë e saj, që mund të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si funksionojnë platformat.
Çështja lidhet me një padi të ngritur në vitin 2023 nga 30 shtete amerikane, të cilat akuzojnë Metën se ka përdorur praktika që, sipas tyre, dëmtojnë të miturit dhe nxisin përdorimin e vazhdueshëm të platformave.
Shtetet amerikane kërkojnë rreth 1 miliard dollarë dëmshpërblim, por gjithashtu kërkojnë që Meta të ndryshojë një sërë funksionesh të Facebook dhe Instagram.
Ndër masat e kërkuara përfshihen:
vendosja e një procesi për verifikimin prindëror për përdoruesit adoleshentë;
ndryshimi i algoritmeve të rekomandimit që, sipas paditësve, nxisin përdorimin e vazhdueshëm;
kufizimi i disa filtrave të imazheve që ndryshojnë pamjen e përdoruesve;
ndalimi i luajtjes automatike të videove;
kufizimi i krijimit të llogarive të shumta;
heqja e funksioneve të përmbajtjeve që zhduken pas një kohe, si Instagram Stories;
si dhe ndryshime të tjera në mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me platformat.
Nëse këto kërkesa do të pranoheshin, eksperienca e përdoruesve në Facebook dhe Instagram mund të ndryshonte ndjeshëm nga ajo që njohim sot.
Çështja është pjesë e një beteje më të gjerë ligjore në SHBA lidhur me ndikimin e platformave sociale te fëmijët dhe adoleshentët, ndërsa autoritetet po kërkojnë nga kompanitë e teknologjisë masa më të forta për mbrojtjen e përdoruesve të mitur.
