Lajme

​Nesër hedhet shorti për renditjen e partive në fletëvotimet e 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se të premten, më 16 maj, do të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor 2026.

Ceremonia për këtë ngjarje do të mbahet nga ora 11 në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë.

Në këtë proces do të përcaktohen numrat me të cilët partitë politike do të garojnë në zgjedhjet parlamentare.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje kishte garuar me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës me 130, Lidhja Demokratike e Kosovës me 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 129 ndërsa Nisma me 122.

Sipas konceptit të “efektit të renditjes në fletëvotim“ (ballot order effect”) në literaturën e studimeve zgjedhore, hedhja e shortit për renditjen e partive në fletëvotim konsiderohet akt i rëndësishëm për arsye politike dhe praktike.

Partitë që renditen më lart apo marrin numra më të lehtë për t’u mbajtur mend, zakonisht kanë përparësi psikologjike te një pjesë e votuesve.

Po ashtu, sipas këtij koncepti, numrat kanë ndikim te votuesit e pavendosur – në shumë raste, votuesit që nuk janë plotësisht të vendosur ose që votojnë shpejt, priren të zgjedhin më lehtë subjektet që shfaqen në krye të listës.

Shorti për renditjen në zgjedhje konsiderohet po ashtu si një veprim që shmang favorizimin institucional pasi që përmes kësaj procedure sigurohet trajtim i barabartë për të gjitha subjektet politike dhe shmanget përcaktimi arbitrar i renditjes.

Të Ngjashme