LifeStyle

Nga 20 nëntori – Airbnb me rregulla të reja, pronarët nuk mund t’u kërkojnë vizitorëve të heqin çarçafët apo të lajnë enët

Airbnb ka ndryshuar rregullat për të kufizuar kërkesat që pronarët e banesave mund t’u bëjnë vizitorëve, veçanërisht sa u përket detyrave të pastrimit.

Udhëzimet e reja parashikojnë që pritësit mund të përcaktojnë shtatë rregulla standarde për banesën, si dhe të shtojnë kërkesa të tjera të arsyeshme.

Sipas Airbnb, vizitorëve, të cilët paguajnë edhe tarifë pastrimi, nuk duhet t’u kërkohet të kryejnë punë që zakonisht u takojnë pastruesve, si larja e enëve apo heqja e çarçafëve nga shtretërit.

Rregullat e reja do të zbatohen për të gjitha rezervimet e kryera në platformë nga 20 nëntori e tutje.

Në një deklaratë për BBC-në, Airbnb tha se rregullat e banesave ndihmojnë vizitorët të kuptojnë pritshmëritë e pronarëve, por pranoi se komuniteti i përdoruesve i kishte konsideruar ato konfuze, të rënda dhe të vështira për t’u menaxhuar.

Për këtë arsye, kompania i ka rishikuar udhëzimet për t’i bërë më të qarta dhe më të lehta për t’u kuptuar, duke vendosur një politikë të re që synon të shmangë kërkesat e tepruara dhe surprizat për vizitorët.

Sipas rregullave të publikuara në faqen zyrtare të Airbnb, pronarët në përgjithësi nuk mund t’u kërkojnë vizitorëve të kryejnë detyra që kërkojnë shumë kohë ose përpjekje, apo që zakonisht kryhen nga pastruesit. Këtu përfshihen heqja e çarçafëve, largimi i mbeturinave jashtë pronës dhe larja e sistemimi i enëve.

Megjithatë, kompania bëri të ditur se mund të ketë përjashtime në raste të caktuara. Për shembull, në zonat ku zbatohen kufizime të përdorimit të ujit për shkak të thatësirës, vizitorëve mund t’u kërkohet të kufizojnë kohën e qëndrimit në dush.

Rregullat e pronave do të shfaqen më dukshëm për vizitorët dhe do të përfshihen edhe në kujtesat që u dërgohen për rezervimet.

Kontratat do të lejohen vetëm në rrethana të kufizuara, përfshirë rastet kur ato kërkohen me ligj ose nga rregullat e shoqatave të pronarëve të banesave.

Sipas kompanisë, pronarët nuk do të mund të vendosin gjoba, por do të ruajnë kontrollin mbi rregullat e banesave të tyre dhe kërkesat ndaj vizitorëve.

Nëse një kërkesë e pronarit bie ndesh me politikat e Airbnb, ajo do të sinjalizohet. Pronari do të ketë të drejtë të paraqesë ankesë nëse nuk pajtohet me këtë vlerësim.

Prej vitesh, vizitorët janë ankuar për detyrat e paarsyeshme që u kërkohet të kryejnë para largimit, veçanërisht kur duhet të paguajnë edhe tarifën e pastrimit.

Së fundmi, janë bërë virale në TikTok videot e çiftit Cassie dhe Jon, pronarë të banesave me qira në shtetin amerikan të Georgias, të cilët inspektojnë me imtësi pronën pas largimit të vizitorëve.

Në një prej videove, çifti i akuzon vizitorët se kanë ‘shkelur rregullat e shtëpisë’, pasi kanë lënë telekomandën e televizorit në vendin e gabuar.

Çifti është kritikuar për rregullat e rrepta dhe standardet e larta, por është përgjigjur se videot e tyre janë keqinterpretuar. Përmbajtjet e tyre kanë frymëzuar edhe krijues të tjerë në TikTok, të cilët kanë publikuar parodi për pronarët me kërkesa të tepruara.

Të Ngjashme