Drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim (AMI), Manjola Hasa, u ka bërë thirrje publike qytetarëve, gazetarëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të tregojnë kujdes maksimal dhe të verifikojnë burimet e informacionit përpara se t’i shpërndajnë ato në internet, në një kohë kur vendi po përballet me një valë të shtuar lajmesh të rreme.
Përmes një video-mesazhi zyrtar, Hasa sqaroi se paralelisht me zhvillimet politike e sociale në vend, hapësira digjitale po mbushet me përmbajtje të paverifikuara. Përfaqësuesja e AMI-së nënvizoi se “lajmet e pavërteta, fotografitë jashtë kontekstit, videot e manipuluara dhe informacionet e paverifikuara po përhapen me shpejtësi në rrjetet sociale, duke krijuar shqetësim, pasiguri dhe konfuzion te qytetarët”.
Për të ilustruar këtë problematikë, Hasa solli në vëmendje dy raste konkrete të dezinformimit të ditëve të fundit. Rasti i parë lidhej me një fotografi virale ku pretendohej se nëntë të rinj ishin zhdukur pas pjesëmarrjes në protestën para Ministrisë së Arsimit. Drejtoresha e agjencisë e përgënjeshtroi këtë pretendim, duke bërë me dije se “vetë të rinjtë e kanë përgënjeshtruar këtë pretendim pranë universitetit të tyre, duke konfirmuar se janë mirë dhe duke shprehur shqetësimin për pasojat që ky lajm i rremë kishte shkaktuar tek familjarët dhe të afërmit e tyre”.
Rasti i dytë kishte të bënte me një mesazh kërcënues të shpërndarë te mësuesit e pedagogët, i cili u atribuua rrejshëm autoriteteve të rendit. Mesazhi paralajmëronte arsimtarët se ishin fotografuar në protestë dhe se do të përballeshin me akuza. Hasa sqaroi se “edhe ky informacion është tërësisht i pavërtetë”, duke kujtuar se “Policia e Shtetit nuk ka dërguar një mesazh të tillë dhe ka reaguar zyrtarisht duke përgënjeshtruar pretendimet që qarkullonin në rrjetet sociale”.
Sipas drejtueses së AMI-së, këto episode dëshmojnë rrezikun e drejtpërdrejtë që bart manipulimi i opinionit publik në situata të ndjeshme.
“Këto janë vetëm dy shembuj që tregojnë se si informacionet e rreme mund të përhapen me shpejtësi, të shkaktojnë shqetësim te qytetarët dhe të ndikojnë në perceptimin e opinionit publik për ngjarjet”, deklaroi ajo.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Hasa kërkoi përgjegjësi kolektive nga të gjithë përdoruesit e hapësirës digjitale për të ndërprerë transmetimin e dezinformatave.
“Mos besoni gjithçka që lexoni apo shikoni në internet! Përpara se të shpërndani një lajm, ndaloni për një moment dhe verifikoni burimin. Mos u bëni pa dashje pjesë e zinxhirit të dezinformimit duke shpërndarë fotografi, video apo pretendime që nuk janë konfirmuar nga burime të besueshme”, përfundoi apelimin e saj drejtuesja e Agjencisë për Media dhe Informim.
