Ish-futbollisti i Arsenalit, Emmanuel Eboue, po kalon një periudhë të vështirë në jetën e tij personale, pasi ka humbur gjithçka pas divorcit nga ish-bashkëshortja.
Eboue, i cili gjatë karrierës së tij fitoi mbi 25 milionë euro, thotë se problemet nisën në vitin 2016, kur Sunderland e shkarkoi pasi FIFA i dha një pezullim 12-mujor për një borxh të papaguar ndaj një ish-agjenti.
“Ata donin që unë t’i jepja agjentit tim një milion euro, kështu që thashë se do të preferoja të ndaloja së luajturi futboll sesa t’u jepja atyre ato para. Ish-agjenti im shkoi në FIFA dhe më pas FIFA më pezulloi për një vit. U ktheva në Turqi për t’u fshehur, sepse nuk doja që njerëzit ta dinin se nuk kisha një klub dhe atëherë filloi divorci”, kujtoi Eboue.
Ai ka treguar se gjatë kohës kur luante për Arsenalin kishte investuar në pasuri të shumta në Angli, të cilat i humbi më pas.
“Humba shumë. Shumë. Sinqerisht, nuk dua të them se sa, por ishin shumë. Humba gjithçka në jetën time në Angli. Bëra gjithçka në karrierën time në Angli, bleva shumë shtëpi atje. Kisha tre shtëpi atje dhe kisha shumë makina. I humba të gjitha dhe humba para”, shtoi ai.
Situata ka ndikuar rëndë edhe në gjendjen e tij mendore, duke treguar se kishte kaluar një periudhë shumë të vështirë.
“Isha shumë, shumë keq. Ndihesha shumë keq sepse jetoja diku ku media e dinte se ku jetoja. Kështu që çdo ditë fotografët ishin aty, kështu që më duhej të prisja kuti dhe t’i vendosja në dritare sepse nuk doja që të më fotografonin”, përfundoi Eboue.
Gjatë karrierës së tij, Eboue bëri 214 paraqitje për Arsenalin, duke shënuar 10 gola dhe duke dhënë 20 asistime. Pas Arsenalit, ai luajti për Galatasarayn dhe Sunderlandin, përpara se t’i jepte fund karrierës në vitin 2016.
