Lajme

Nga mungesat në punë te ndërprerja e kontratave, Halilaj: Të zbatohen rekomandimet e Auditorit

20 zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë vazhduar të marrin paga, pavarësisht se nuk kanë qenë të pranishëm në vendet e tyre të punës.

Bëhet fjalë për zyrtarë nga komuniteti serb, të lidhur me ish-“Mbrojtjen Civile”, ndaj të cilëve së fundmi është marrë vendimi për ndërprerjen e kontratave të punës.

Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë detyrim të ndërmarrin masa ndaj çdo rasti ku dëshmohet mosushtrimi i detyrës apo përfitimi i pagave pa punë, pavarësisht përkatësisë etnike apo politike.

“Vendimi i Ministrisë për ndërprerjen e kontratave të punës për zyrtarët që për vite me radhë nuk kanë ushtruar detyrat e tyre është një veprim i drejtë, ligjor dhe në përputhje me parimet e llogaridhënies dhe administrimit të mirë publik. Askush nuk mund të mbajë një vend pune në administratën shtetërore pa e kryer punën për të cilën paguhet, pavarësisht përkatësisë etnike apo politike”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar shkelje dhe ka rekomanduar marrjen e masave, institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë ato.

“Nëse Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar shkelje dhe ka rekomanduar ndërmarrjen e masave, atëherë institucionet kanë detyrim ligjor t’i zbatojnë këto rekomandime. Në të njëjtën frymë, vlerësoj se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë një rishikim të plotë dhe të paanshëm të të gjitha rasteve ku ka dyshime për mosushtrim të detyrës, mungesa të pajustifikuara ose përfitim të pagave pa punë, duke vepruar gjithmonë mbi bazën e ligjit, provave dhe procedurave të rregullta administrative, e jo mbi baza politike apo etnike”, ka shtuar ai.

Image
Gazmend Halilaj

Duke folur për integrimin e ish-pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, Halilaj ka thënë se duhet të bëhet dallimi mes vetë procesit të integrimit dhe mënyrës së zbatimit të tij.

“Sa i përket integrimit të ish-pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, duhet bërë dallimi ndërmjet vetë procesit të integrimit dhe mënyrës së zbatimit të tij. Integrimi ishte pjesë e obligimeve që buronin nga marrëveshjet e dialogut dhe kishte për synim shtrirjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në veri të vendit. Në parim, integrimi nuk ishte gabim, për aq kohë sa synonte që këta persona të bëheshin pjesë e institucioneve të Kosovës dhe t’i nënshtroheshin ligjeve të saj”, ka theksuar ai.

Në fund, ai ka theksuar se çdo zyrtar publik duhet të mbajë përgjegjësi nëse nuk i përmbush detyrimet e tij.

“Megjithatë, nëse më pas është dëshmuar se individë të caktuar nuk kanë ushtruar detyrat e tyre, kanë bojkotuar institucionet ose kanë përfituar paga pa punuar, atëherë është përgjegjësi e institucioneve që të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore. Sundimi i ligjit nënkupton se secili zyrtar publik duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e tij, ndërsa administrata publike duhet të funksionojë mbi bazën e profesionalizmit, ligjshmërisë dhe interesit publik”, ka përfunduar Halilaj.

Të Ngjashme