Ish-kryetari i Komunës së Ferizajt dhe ish-kreu i degës së LDK-së, Muharrem Sfarqa ka përsëritur thirrjen për ndryshime në udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke deklaruar se dorëheqja e kryetarit Lumir Abdixhiku është “minimumi i çdo minimumi” për t’i hapur rrugë reformimit të partisë.
Sfarqa ka theksuar se kritikat dhe paralajmërimet që kishte bërë muaj më parë për gjendjen në LDK janë vërtetuar, sipas tij, “pikë për pikë”. Në një reagim të publikuar më herët, ai kishte vlerësuar se partia po largohej nga themelet e saj tradicionale dhe po hynte në një krizë të thellë organizative e politike.
Ai kishte kritikuar lidershipin e LDK-së për, siç ishte shprehur, largimin e veprimtarëve të vjetër nga strukturat e partisë dhe zëvendësimin e tyre me individë që kishin vepruar më parë në subjekte të tjera politike. Sipas Sfarqës, kjo qasje e kishte larguar LDK-në nga identiteti i saj institucionalist dhe rugovian.
Në reagimin e tij të fundit, ai ka kërkuar ndryshim të udhëheqjes aktuale, duke theksuar se “ndryshimi për Kosovën nuk vjen pa ndryshimin e liderit dhe disa liderëve të tij në LDK”.
“Kosovës dhe të ardhmes së saj i duhet ndryshimi në LDK. Koncepti i ‘verifikimit’ të liderëve të LDK-së nëpër parti tjera duhet të marrë fund”, ka shkruar ai.
Postim i plotë:
Dorëheqja e Lumirit është minimumi i çdo minimumi-për ditë të mira të LDK-së.
Ajo që kam tërhequr vërejtjet e mia me kohë u vërtetuan pikë për pikë.
Ndryshimi për Kosovën nuk vie pa ndryshimin e “Liderit” dhe disa “liderve” të tij në LDK.
Kosovës dhe të ardhmes së saj i duhet ndryshimi në LDK.
Koncepti i “verifikimit” të liderve të LDK-së nëpër parti tjera duhet të marr fund!
