Analisti dhe veprimtari Nexhat Bexheti ka deklaruar se institucionet e Kosovës mund të arrijnë të funksionalizohen edhe si rezultat i një presioni të jashtëm, të cilin ai e cilëson si “trusni inkonjite”. Sipas tij, situata e sigurisë në Evropë dhe acarimet ndërmjet Rusisë dhe NATO-s mund të ndikojnë që zgjidhja e ngërçit politik në Kosovë të përshpejtohet.
“Institualizimi i shtetit ka gjasa të realizohet nga një trusni inkonjite, sepse kjo ndikon negativisht edhe te kriza ushtarake në Evropë. Jemi dëshmitarë të acarimeve ushtarake, në njërën anë të Rusisë dhe në anën tjetër të NATO-s. Ky fakt elaborohet nga armatimi dhe investimet enorme në përsosmërinë e mjeteve të sofistikuara të blinduara, si dhe dronëve të përsosur për shkatërrimin e objekteve industriale. Nga ky acarim mundet që të shpejtohet zgjidhja e ngërçit politik në Kosovë. Kjo është një aksiomë e shikimit tim nga prizma ndërkombëtare”, ka thënë Bexheti.
Ai ka theksuar se, krahas zhvillimeve ndërkombëtare, në Kosovë duhet të ketë gatishmëri edhe për skenarë të papritur, pasi çështja e zgjedhjes së presidentit vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Sipas tij, kjo situatë herë krijon shpresë për një marrëveshje, e herë tjetër e thellon pasigurinë politike.

Nexhat Bexheti
“Mirëpo duhet të përgatitemi edhe për befasitë, të cilat akoma zvarriten si bishti i zvaranikut. Herë jepet shpresë, herë demoralizohet çështja e zgjedhjes së presidentit të shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.
Bexheti vlerëson se në skenën politike aktualisht nuk po shihet një vullnet i mjaftueshëm për gjetjen e një kandidati që do të mund të siguronte kompromisin ndërmjet subjekteve politike. Ai thotë se mbetet i hapur edhe skenari i zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, mund ta vendosin Kosovën në një situatë edhe më të ndërlikuar.
“Në rrafshin politik nuk ka vullnet të gjerë për caktimin e personit me kompromis partiak. Mbetet hapur edhe një shkuarje në zgjedhje të reja dhe me këtë akt Kosova do të gjendet në udhëkryq pa udhërrëfyes. Se shpëton dot as Perëndimi, as Lindja, dhe do të demoralizohen mbështetësit dhe shtetet të cilat e kanë njohur shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar Bexheti.
Ai ka shprehur shqetësimin se një krizë e zgjatur institucionale mund t’u japë hapësirë, siç i quan ai, “aspirantëve hegjemonistë”, ndërsa mund të dëmtojë edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Bexheti ka përmendur në këtë kontekst edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke pretenduar se përfitimet politike nga një situatë e tillë mund të shfrytëzohen nga Beogradi.
“Kjo situatë apolitike do t’i entuziazmojë aspirantët hegjemonistë dhe fuqizohen agjenturat e brendshme për ta dëmtuar imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Meritat triumfuese do t’i përvetësojë Vuçiqi, me bashkësipiunët e brendshëm të cilët veprojnë publikisht. Mjerë popullata naive që s’e votoi një parti me shumicë absolute, që të mos ta rrezikojnë shtetin e vet”, ka thënë ai.
Sipas Bexhetit, një tjetër proces zgjedhor nuk do të garantonte domosdoshmërisht ndryshim të situatës politike, pasi rezultatet mund të jenë të ngjashme me ato të mëparshmet.
“Zgjedhjet nuk do të bien rezultat të favorshëm, do të riciklohet gati rezultati i njëjtë”, ka deklaruar Bexheti.
Në fund, ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ushtrojë presion për zgjidhjen e çështjes së presidentit dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
“Lutemi faktorit të jashtëm që të ndikojë ultimativisht për zgjedhjen e presidentit edhe një herë t’i japë shansë pavarësisë së Kosovës së mjerë”, ka përfunduar Bexheti.
