Lajme

Nis rigjykimi për vrasjen në Gllogjan, Prokuroria: Nuk kemi fshehur asnjë provë

Ka nisur sot rigjykimi për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, ndërsa Prokuroria e Shtetit ka reaguar lidhur me vendimin për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor dhe pretendimet rreth administrimit të provave në këtë rast.

Prokurorja Sahide Gashi ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit e respekton vendimin e gjykatës për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor dhe mirëpret administrimin e çdo prove që gjykata e vlerëson të rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës.

Megjithatë, ajo ka theksuar se është e nevojshme të sqarohet qëndrimi i Prokurorisë përballë pretendimeve se institucionit të akuzës i është atribuuar fshehja ose mospropozimi i provave.

“Dua të jem kategorike dhe shumë e qartë: Prokuroria nuk fsheh prova, e aq më tepër prova që i ka siguruar vetë”, ka deklaruar Gashi.

Sipas saj, raporti balistik i gëzhojave të gjetura në bjeshkë ka qenë pjesë e shkresave të lëndës që nga dita e parë dhe u është vënë në dispozicion të gjitha palëve.

Gashi ka sqaruar se Prokuroria propozon ato prova që mbështesin dyshimin e bazuar dhe jo çdo dokument që gjendet në dosjen e lëndës.

Sa i përket gëzhojave të gjetura në bjeshkë, prokurorja ka thënë se ato nuk janë propozuar për shkak të mungesës së relevancës së drejtpërdrejtë me natyrën e veprës penale.

Ajo ka pretenduar se lokacioni ku i pandehuri Kreshnik Mehmetaj është parë duke shtënë me armë është një vend i njohur dhe i frekuentuar nga banorët e Deçanit për gjuajtje me armë zjarri.

“Pra kemi të bëjmë me një poligon të hapur publik, ku banorët kanë shtënë me vite dhe gjetja e gëzhojave të rastësishme që nuk përputhen me skenën e krimit është krejtësisht e natyrshme”, ka deklaruar Gashi.

Të Ngjashme