Lajme

Nis seanca për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika në Ferizaj

Ka nisur seanca e radhës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.

Në fillim të seancës, të pandehurit janë përshëndetur me familjarët, duke u drejtuar me shprehjen “Selam Alejkum”.

Gjatë seancës është bërë e ditur se Driton Dardhishta ndodhet jashtë vendit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, më 9 janar të këtij viti kishte ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., SH.K. dhe D.G.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, e privuan nga jeta zyrtarin e Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, në Kaçanik, duke përdorur armë zjarri.

Sipas Prokurorisë, vrasja dyshohet se është kryer pas përgatitjes paraprake, ndërsa në rast pretendohet se është përfshirë edhe një person i mitur.

Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin. Po ashtu, ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tyre deri në përfundimin e procedurës gjyqësore.

Të Ngjashme