Ka nisur edhe sot seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po vazhdojnë deklaratat përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Të akuzuarit përballen me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ndërsa në seancën e sotme pritet të vazhdojë paraqitja e argumenteve përfundimtare të palëve.
Në seancën e së mërkurës, mbrojtja e Hashim Thaçit kërkoi që ai të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga të gjitha akuzat.
Avokatja e tij, Sophie Menegon, tha se vendimi i trupit gjykues duhet të bazohet në prova dhe jo në atë që ajo i cilësoi si spekulime të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.
Mbrojtja argumentoi se gjatë procesit nuk është dëshmuar ndonjë ndërhyrje konkrete në administrimin e drejtësisë dhe se ZPS-ja nuk ka arritur të provojë fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm.
Në anën tjetër, ZPS-ja ka kërkuar që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim.
Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin.
Prokurori Joshua Hafetz ka deklaruar se, sipas ZPS-së, veprimet e të akuzuarve janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe përbëjnë ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, Thaçi gjatë qëndrimit në paraburgim në Hagë kishte zhvilluar kontakte me persona të tjerë dhe kishte diskutuar për dëshmitë e dëshmitarëve në procesin e tij kryesor.
ZPS-ja ka pretenduar se nëntë vizita në qendrën e paraburgimit, të zhvilluara gjatë një periudhe katërmujore, kanë rezultuar me rreth 28 orë incizime. Sipas prokurorisë, në këto incizime përfshihen biseda që lidhen me dëshmitarë dhe procesin gjyqësor.
Kryeprokurorja Kimberly West ka deklaruar se, sipas pretendimeve të ZPS-së, Thaçi kishte formuar grupe me persona që kishin njohje me dëshmitarë të caktuar, me qëllim të ndikimit në dëshmitë e tyre.
Për çfarë akuzohen?
Thaçi, Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Thaçi përballet me akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkaq, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
