Edhe në Fushë Kosovë tashmë prej më shumë se një ore ka filluar procesi i votimit.
Ekipi i KosovaPress po qëndron në qendrën më të madhe të votimit në Fushë Kosovë, në shkollën “Mihal Grameno”.
Për KosovaPress, menaxheri i kësaj qendre të votimit, Ismet Gashi, ka deklaruar se të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë për zhvillimin e procesit zgjedhor.
Në këtë qendër të votimit, të drejtë vote kanë 14,861 qytetarë. Sipas Gashit, që në orët e para të mëngjesit është vërejtur interesim i qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës.
Gashi: 14,861 votues me të drejtë vote në shkollën “Mihal Grameno”
“Përgatitjet i kemi bërë me kohë dhe në ora 07:00 ka filluar procesi zgjedhor. Në këtë qendër janë 14,861 votues që kanë të drejtë vote. Shihet se ka interesim të qytetarëve për të dalë për të votuar këtë mëngjes. Çdo gjë është duke shkuar mirë, sepse përgatitjet janë bërë me kohë”, tha Gashi.
Ndërkaq, një qytetar në këtë qendër të votimit në Fushë Kosovë thotë se është e paarsyeshme dalja përsëri në zgjedhje, ku sipas tij këto gjëra kanë pasur mundësi të rregullohen me kohë.
Ai bën thirrje edhe qytetarëve të tjerë të marrin pjesë në votime dhe të kryejnë të drejtën e tyre që të vendosin për atë që do t’i përfaqësojë.
Pa emër: Është e paarsyeshme të dalim prapë në zgjedhje – gjërat kanë mundur të rregullohen
“Nuk patëm problem, megjithëse na ka ra me votu shpesh këtë vit e kemi mësu edhe klasën. Unë jam në këtë klasë këtu dhe nuk ka probleme në listë. Nuk jemi lodh, por nuk e shohim të arsyeshme me dal me votu kaq shpesh. Meqë kemi mundur t’i rregullojmë gjërat me kohë, nuk e shohim të arsyeshme, por meqenëse ata kanë vendosur ne po votojmë. Shpresojmë me ndryshu për arsye se zgjedhjet e kaluara nuk kanë sjellë sukses, shpresoj me vazhdu me ardh të tjerë në pushtet të cilët munden me ba zgjedhje. Ju bëj thirrje të gjithëve të dalin të votojnë sepse nëse nuk dalin ta kryejnë të drejtën e tyre të votojnë atëherë nuk kanë të drejtë të ankohen më vonë dhe të presin vitet e tjera. Pra të dalin dhe të votojnë atë që duan”, tha ai.
