Lajme

Nisin punimet për rrugën Rancë–Greiçec, investimi rreth 370 mijë euro

Kanë nisur punimet në segmentin rrugor që lidh fshatrat Rancë dhe Greiçec në komunën e Shtimes, projekt ky që pritet të lehtësojë qarkullimin ndërmjet Shtimes dhe Suharekës.

Punimet i vizitoi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, si dhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu.

Sipas Kurtit, rruga e re me gjatësi prej 3.1 kilometrash dhe vlerë rreth 370 mijë euro do të ndikojë në përmirësimin e lëvizjes për qytetarët, bizneset dhe turistët vendorë e të huaj.

Ai tha se ky segment do të ndihmojë në lidhjen më të mirë të Shtimes me Suharekën, duke theksuar se autostrada “Ibrahim Rugova” i ka lënë këto dy komuna më të izoluara.

Kurti kërkoi nga operatori ekonomik që punimet të zhvillohen me ritëm të përshpejtuar në mënyrë që projekti të përfundojë sa më shpejt.

Të Ngjashme