Një grua 80-vjeçare ka humbur jetën në Prizren, ndërsa bashkëshorti i saj 81-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se i ka shkaktuar lëndimet që rezultuan fatale.
Rasti për tëvë1.info është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqit i cili tha se rasti është evidentuar në orët e para të së mërkurës, në shtëpinë e çiftit. Vdekjen e viktimës, L.D., e kanë konstatuar autoritetet në vendin e ngjarjes.
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, te autoritetet ka lindur dyshimi për veprën penale “vrasje e rëndë”. Policia ka bërë të ditur se lëndimet në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë fizike, pa përdorimin e armës apo ndonjë mjeti tjetër.
Trupi i pajetë i 80-vjeçares është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë.
Policia ka njoftuar po ashtu se sipas evidencave zyrtare, “çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre”.
Kurse, sipas policisë rasti është duke u hetuar.
“Vrasje e rëndë, i dyshuari është arrestuar Më datë 26 gusht 2026, rreth orës 01:30, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në një shtëpi banimi në Prizren është gjetur pa shenja jete një femër 80 vjeçare (L.D.). Në vendngjarje kanë dalë patrulla policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor. Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër. Trupi i pajetë është dërguar në IML Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeçar (B.D.), është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Vlen të theksohet se, sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit”, thuhet në përgjigjen e policisë./teve1.info/
