Lajme

​Një i ndaluar 48 orë në Prishtinë, dyshohet për mashtrim të një shtetasi të Norvegjisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se u ndalua një person me inicialet B.M., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të mashtrimit.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, ku i dyshuari, përmes paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, dyshohet se ka vënë në lajthitje të dëmtuarit, shtetas të Norvegjisë, duke i nxitur ata të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, dyshohet se pasi ka siguruar të dhënat e tyre bankare të personave të dëmtuar, i dyshuari ka përdorur ato për të realizuar porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht në ato që shiten pajisje elektronike dhe si pasojë e këtyre veprimeve, personave të dëmtuar u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.

“Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike, përkatësisht shtatë (7) telefona celular, dy (2) kompjutera, dy (2) USB, një (1) veturë si dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova matriale në kuadër të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. 

Të Ngjashme