Hetimet për vrasjen e Urim Fikut në fshatin Godvi të Bulqizës kanë sjellë zbulimin e detajeve të tjera të rënda, duke e mbuluar çështjen me një dyshim të fortë se, veç gruas dhe djalit të arrestuar, një person i tretë ka vepruar në këtë ngjarje kriminale.
Gjatë ditës së djeshme, teksa në Gjykatën e Dibrës zhvillohej seanca për caktimin e masës së “arrestit në burg” për Sadete dhe Gazmir Fikun, policia e Bulqizës ka kryer një krehje të terrenit afër zonës ku u gjet i vrarë Urim Fiku.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se, në një distancë prej rreth 500 metrash larg banesës së familjes Fiku, policia kriminale e Dibrës gjeti edhe 4 gëzhoja të tjera pistolete, që dyshohet se janë shkrepur nga e njëjta armë zjarri, e cila u sekuestrua pak ditë më parë nga policia.
Gëzhojat tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe pritet që në ditët në vijim t’i nënshtrohen një ekspertize krahasuese balistike me armën tip pistoletë.
Gjetja e këtyre gëzhojave në distanca të ndryshme nga njëra-tjetra ka ngritur dyshime të forta se Urim Fiku është ndjekur me vrap nga autori i krimit, i cili ka qëlluar me intensitet drejt Fikut, derisa ai është prekur nga një plumb pas shpine dhe është rrëzuar në tokë.
Autori i krimit më pas dyshohet se e ka qëlluar Fikun me një sëpatë në kokë, duke i dëmtuar rëndë pjesën e kafkës. Policia dhe prokuroria kanë kërkuar informacion nga mjekësia ligjore për të përcaktuar nëse vdekja e Urim Fikut ka ardhur nga dëmtimi i rëndë i trurit përmes goditjes me sëpatë apo si pasojë e goditjes me një plumb të shkaktuar nga arma e zjarrit.
Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe një person i tretë, që dyshohet se banon aty pranë, për të cilin po punohet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tij.
Ndërsa, nga ana tjetër, gruaja e viktimës, Urim Fiku, Sadete Fiku, ka dhënë ditën e djeshme në polici një version të dytë, duke pohuar se burrin nuk e ka vrarë ariu, por, sipas saj, ai ka bërë vetëvrasje.
Por kjo dëshmi nuk është besuar nga hetuesit, pasi, sipas tyre, nuk mund të ndodhë që viktima të ketë vrarë veten duke qëlluar mbi trupin e tij nga pas shpine.
“…Plumbi ka hyrë në trupin e Urim Fikut në pjesën e shpinës dhe ka qenë tejshkues në gjoks. Nuk ka asnjë rast të vetëm në kriminalistikë që viktima të qëllojë mbi veten pas shpine… Aq më tepër që në vendngjarje janë gjetur edhe 4 gëzhoja të tjera, duke e çuar në total numrin në 5 gëzhoja të sekuestruara…”, tha një burim pranë policisë për gazetarin Elton Qyno.
Kurse djali i viktimës, Gazmir Fiku, ka pretenduar se mëngjesin kur është njoftuar për ngjarjen e rëndë, ai ka qenë në punë. Përgjegjësi i OSHEE-së në zonën e Bulqizës, Gazmir Fiku, që akuzohet nga policia dhe prokuroria për vrasjen e babait të tij, Urim Fikut, nuk ka pranuar autorësinë e krimit.
Ai është pyetur gjatë në policinë e Bulqizës, duke treguar versionin e tij për ngjarjen, por në asnjë çast nuk ka pranuar autorësinë e krimit ndaj babait të tij. Para oficerëve, i riu ka mbajtur qëndrim mohues, duke pretenduar fillimisht se, kur ka ndodhur ngjarja, ai nuk ka qenë në banesë, por në punën e tij në OSHEE.
“…Dy orë para se të njoftohesha nga nëna ime për atë çfarë i kishte ndodhur babait, unë kam qenë duke pirë kafe përballë komisariatit të Bulqizës dhe më pas jam futur në zyrën e OSHEE-së, ku punoj si përgjegjës…”, ka deklaruar djali i viktimës, Urim Fiku, Gazmir Fiku.
Dhe, për t’i bindur hetuesit për këtë version, Gazmir Fiku u ka kërkuar oficerëve të marrin pamjet filmike të lokalit përballë komisariatit të Bulqizës dhe të zyrës së OSHEE-së, si dhe të shikojnë kohën e prezencës së tij në ambientet e punës.
Por ngjarja e rëndë “kërcet” në disa drejtime. Pasi Gazmir Fiku, sipas grupit të hetimit, nuk u jep shpjegim shumë pikëpyetjeve, duke filluar nga fshirja e pamjeve filmike të DVR-së së kamerave të shtëpisë, gjetja e rrobave të prera me gërshërë dhe të hedhura në WC-në e banesës, sëpata me njollat e gjakut, arma e krimit, pistoletë me një fishek në fole, gëzhoja e gjetur në vendngjarje dhe versioni imagjinar i ariut./ Elton Qyno – Syri.net
