LifeStyle

​Një pikturë e blerë për 26 euro shitet për 1,2 milion në ankand

Një pikturë, e cila në shikim të parë nuk duket e vlefshme, e punuar me bojëra vaji mbi pllakë të fortë me përmasa 20,3 x 27,9 centimetra që paraqet dhjetë guaska, u shit më 1 tetor në shtëpinë e ankandeve “Freeman’s” me seli në Nju-Jork, për një milion e dyqind mijë euro.

E veçanta e gjithë kësaj është se piktura ishte blerë fillimisht nga një amerikan nga Miçigani për 26 euro dhe çmimi përfundimtar i saj është 45 000 herë më i lartë se investimi fillestar dhe gjithashtu vendos një rekord botëror për piktoren amerikane Gertrude Abercrombie.

Sipas CNN, blerësi anonim vuri re një nënshkrim të zbehtë “Abercrombie, 51”, dhe vendosi të rrezikonte. Më pas, ai filloi të bënte kërkime. Gazeta Chicago Sun-Times raporton se ai madje ndryshoi planet e pushimeve familjare për të vizituar një ekspozitë retrospektive kushtuar artistes në Muzeun e Artit të Miluokit.

Në katalogun e ekspozitës, ai zbuloi një artikull nga Chicago Tribune të vitit 1952, i cili përmbante një fotografi të pikturës së tij.

Autenticiteti i veprës u konfirmua nga Susan Weininger, profesoreshë e historisë së artit pranë Universitetit Roosevelt dhe eksperte për këtë pikturë. Piktura me titull “Alderman Merriam’s Shells” (“Guaskat e Alderman Merriam)” nuk ishte ekspozuar që nga viti 1953.

Gertrude Abercrombie e përfundoi atë në fund të vitit 1951 dhe ia vuri emrin sipas guaskave që i përkisnin Robert Merriam, një anëtar i këshillit bashkiak të Çikagos nga viti 1947-1955. Në fillim të vitit 1952, artistja ia dhuroi pikturën Dr. John T. Reynolds-it nga Kalamazoo, si pagesë për një ndërhyrje kirurgjikale.

Më pas, vepra u ekspozua në Nju-Jork, Çikago, Miluoki dhe Evanston, hera e fundit ishte në vitin 1953. Në kornizë ka mbetur ende një etiketë nga një prej ekspozitave, ku doktori figuron si huamarrësi i veprës, ndërsa në pjesën e pasme shkruhet “Nga John T. Reynolds”.

Pas kësaj, gjurmët e pikturës humbën për më shumë se 70 vjet. CBS Chicago shkruan se shitja ku u gjet piktura ishte pikërisht shitja e pasurisë së të ndjerit Dr. Reynolds, ndërsa Chicago Sun-Times shton se, deri në atë moment, vepra kishte qenë pjesë e koleksionit të tij.

Para ankandit, piktura u restaurua nga studioja “Baumgartner Fine Art Restoration” me seli në Çikago. Shtëpia e ankandeve “Freeman’s” e vlerësoi atë midis 133 000 dhe 222 000 eurosh. Pas ankandit, çmimi përfundimtar arriti në 940 000 euro, duke përfshirë komisionet shtesë.

Identiteti i pronarit të ri nuk është bërë i ditur, transmeton KosovaPress.

Të Ngjashme