Një nënë me tre fëmijë të mitur, e cila kishte humbur partnerin e mëparshëm dhe kishte nisur një bashkëjetesë të re, ka denoncuar bashkëjetuesin e saj në Policinë e Tiranës për dhunë në familje dhe ngacmim seksual ndaj bijës së saj 12-vjeçare.
I akuzuari është arrestuar dhe ndodhet aktualisht në burg, ndërsa familja ka marrë urdhra mbrojtës.
Sipas informacioneve të dhëna në emisionin “Në kohë reale” në RTSH1, ngjarja kulmoi kur nëna dhe vajza 12-vjeçare paraqitën kallëzimin. Vajza, e cila është marrë në pyetje në prani të psikologut dhe të nënës, ka deklaruar se është prekur seksualisht nga bashkëjetuesi i nënës. Nëna ka konfirmuar se, pasi familja u zhvendos nga Mallakastra në Tiranë, i akuzuari e kishte ftuar vajzën të flinte në krevatin e tyre.
Në rrëfimin e saj, nëna ka treguar se dyshoi kur dëgjoi tronditje në krevat. “I tha gocës: ‘Hajde aty ku fle unë me mamin’. Goca ishte te muri, ai në mes të krevatit… Kur e pyeta çfarë bënte me të miturën, ai më tha se unë isha pastruese e shtëpisë, jo grua, dhe se do ta priste gocën derisa të rritej për ta marrë për vete”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, abuzimi seksual ka ndodhur vetëm një herë, atëherë kur e pa me sytë e saj, ndërsa dhuna fizike ndaj saj dhe dy djemve kishte qenë e përsëritur.
“Nuk e duroja dot më. Ai s’ka të drejtë të prekë fëmijën time”, ka thënë nëna, e cila ka theksuar se e ka denoncuar si për dhunën, ashtu edhe për ngacmimin ndaj vajzës.
Gazetari Marsel Vocaj ka raportuar se i akuzuari, kur u pyet fillimisht, ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. Më vonë, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj 12-vjeçares, duke pretenduari se e kishte bërë pasi e kishte zënë duke folur me një djalë dhe “për të mirën e saj”. Për akuzën e ngacmimit seksual, ai ka vazhduar të mohojë, duke thënë se e ka dashur si vajzën e tij dhe se nuk ka pasur veprime dashakeqe.
Familja, e cila jeton në kushte të vështira ekonomike, ka marrë urdhra mbrojtës. Nëna ka bërë apel publik për ndihmë ekonomike dhe për punë, duke deklaruar se nuk merr asnjë asistencë sociale, se leket e babait të fëmijëve (i cili ka vdekur) i janë ndërprerë dhe se ish-bashkëjetuesi nuk e linte të punonte. Aktualisht punon vetëm djali 15-vjeçar.
Çështja ndodhet nën hetim për dy akuza: dhunë në familje dhe ngacmim seksual. Hetuesit pritet të kryejnë ekspertim mjekoligjor dhe të vlerësojnë deklarimet e të miturës dhe të nënës.
