Lajme

“Nuk do të vrasim njëri-tjetrin, vetëm një …”/ Biseda e fundit mes Allmuçës dhe vëllait të viktimës

Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me ditët para vrasjes së 45-vjeçares Lulieta Obzova në Athinë, ku autor i dyshuar është 50-vjeçari shqiptar Altin Allmuça.

Pak ditë para krimit, Allmuça dyshohet se është përpjekur të takohej me vëllain e 45-vjeçares, duke i thënë se dëshironte të diskutonte për marrëdhënien e tij me motrën.

Nga biseda mes tyre rezulton se vëllai i Lulietës ka refuzuar takimin për kafe, ndërsa dialogu ka marrë një ton shqetësues.

Pjesë nga biseda:

Allmuça: Dua të takohemi për kafe, të flasim.

Vëllai i Lulietës: Për çfarë do të flasim?

Allmuça: Çfarë po ndodh me motrën tënde?

Vëllai: Nuk mendoj se duhet të takohemi të dy.

Allmuça: Në rregull, shoku, nuk do të vrasim njëri-tjetrin. Do të pimë vetëm një kafe.

Vëllai: Le ta lëmë me kaq.

Sipas dëshmive të personave të afërt, 45-vjeçarja kishte shprehur më herët frikë për sjelljen e Allmuçës dhe kishte marrë masa për t’u mbrojtur, mes tyre edhe ndryshimin e bravave të banesës.

Vajza e viktimës ka deklaruar para autoriteteve se ishte në dijeni për lidhjen e nënës së saj me 50-vjeçarin dhe se ajo kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies.

Sipas saj, nëna ishte e shqetësuar për sjelljen e Allmuçës, të cilin e përshkruante si tepër xheloz dhe si një person që i shkaktonte vazhdimisht probleme.

Biseda mes 50-vjeçarit dhe vëllait të viktimës është tashmë pjesë e dëshmive që po shqyrtohen për të rindërtuar ngjarjet dhe për të kuptuar se çfarë ndodhi në ditët që i paraprinë krimit.

Të Ngjashme