Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojnë një takim të martën, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të qershorit.
Sipas deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, takimi do të mbahet në orën 18:00 në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Kurti kishte ftuar në takim edhe Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por drejtuesit e këtyre dy subjekteve politike vendosën të mos marrin pjesë.
Lidhur me këtë çështje, ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje mes Kurtit dhe Abdixhikut për formimin e institucioneve është e domosdoshme.

Ish-deputeti ni LDK-së, Adem Salihaj
Sipas tij, vazhdimi i krizës politike ka dëmtuar Kosovën brenda dhe në raportet ndërkombëtare, ndërsa zgjedhjet e reja do të sillnin pasoja për të gjitha palët.
“Unë mendoj se gjetja e një marrëveshjeje politike për t’i formuar institucionet është veprim shumë i dobishëm dhe duhet përkrahur pa rezervë. Duhet përkrahur daljen nga kriza dyvjeçare, sepse Kosova ka humbur shumë edhe në planin e brendshëm dhe të jashtëm.
Se sa janë seriozë Kurti dhe Abdixhiku në këto bisedime, duhet parë, por unë mendoj se këta të dy nuk kanë alternativë tjetër, sepse shkuarja sërish në zgjedhje do të jetë me pasoja të rënda edhe për ta, edhe për Kosovën.
Kosova gjatë periudhës dyvjeçare të krizës ka humbur dukshëm kredibilitetin para partnerëve ndërkombëtarë, kështu që krizën duhet zgjidhur çdo ditë e më parë”, deklaroi ai për “Bota sot”.
