Lajme

Numërohen mbi 55% e votave të kandidatëve, këta janë më të votuarit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tani janë procesuar 55.16 për qind e votave nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas të dhënave të publikuara, nga gjithsej 2,498 vendvotime, janë numëruar dhe procesuar 1,378, ndërsa procesi i numërimit vazhdon edhe në pjesën tjetër të vendit.

Në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati më i votuar mbetet Albin Kurti me 130,818 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 102,908 vota. Në mesin e më të votuarve janë edhe Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Xhelal Sveçla.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza kryeson me 64,092 vota. Pas tij renditen Përparim Gruda, Arian Tahiri dhe Uran Ismaili, të cilët deri më tani kanë siguruar mbështetje të konsiderueshme nga elektorati i kësaj partie.

Ndërkaq, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, më e votuara rezulton Vjosa Osmani Sadriu me 42,525 vota, e pasuar nga Lumir Abdixhiku me 38,502 vota. Në listën e më të votuarve të LDK-së figurojnë gjithashtu Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti.

Sa i përket Aleancës, Ardian Gjini prin me 21,843 vota, ndërsa pas tij vijnë Ramush Haradinaj dhe Daut Haradinaj.

 

Të Ngjashme