Instituti i Kosovës për Drejtësi ka organizuar tryezë diskutimi në të cilën ka publikuar dy raporte të cilat trajtojnë rastet në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda dhe të Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal. Nga raportet del se për prokuroritë themelore në Kosovë, problem mbetet numri i vogël apo i kufizuar i prokurorëve dhe numri i madh i lëndëve.
Prokuroritë themelore në vend po përballen me ngarkesë të lartë të lëndëve në raport me numrin e prokurorëve. Në Departamentin për Krime të Rënda dhe në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal, Gjakova dhe Mitrovica rezultojnë me numrin më të madh të lëndëve për prokuror, ndërsa më pak lëndë ka Prizreni, thuhet në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Gazim Shala nga IKD tha se “në nivel vendi një prokuror ka 519 raste në punë mirëpo edhe në raport me ngarkesën me numrin e lëndëve ka një diskepnace të madhe dhe dallime në mes të prokurorive, Gjakova dhe Mitrovica e ka numrin më të madh të lëndëve krahasuar me prokuror me 866 në raport me mesatarën e përgjithshme 519 ndërsa numrin më të vogel e ka Prizreni me 330 raste për prokuror”.
Në anën tjetër, drejtues të gjyqësorit shprehen kritikë ndaj politikës ndëshkimore. Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë thotë se nuk është i kënaqur me dënimet dhe thekson nevojën për aplikim më të gjerë të dënimeve plotësuese.
“Sanksion penal është vështirë mjaftueshëm pa impikimin e dënimeve plotësuese dhe në të njejtën kohë në qoftë se bëjmë analiza më të thelluara të kodit penal kanë obligime ex oficio nga dënimet që shqiptojnë në raste specifike”, pohoi Ngadhnjim Arrni, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Edhe nga prokuroria pranohet se ngarkesa tejkalon normat orientuese.
Lumturije Vuçetaj, kryeprokurore në Pejë theksoi se “në raport me numrin e lëndëve të pranuara determinon që Prokurori i Shtetit është i ngarkuar me numrin e lëndëve më shumë sesa që është përcaktuar me normën orientuese”.
Ndërkohë, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i ka vlerësuar të rëndësishme rekomandimet e dala nga raportet, duke theksuar nevojën për përmirësime përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave me gjykatat dhe prokuroritë.
