Një rrëfim i Agush Bujës, ish-sekretar i udhëheqjes së LPK-së jashtë vendit, hedh dritë mbi krijimin e fondit “Vendlindja Thërret” në Winterthur, mbledhjen e parave nga diaspora dhe sigurimin e automjeteve ushtarake zvicerane për nevojat e luftës në Kosovë.
Zvicra ishte një nga qendrat më të rëndësishme për organizimin politik, financiar dhe logjistik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan gazeta prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” – NZZ.
Në një shkrim të publikuar në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, NZZ sjell dëshminë e Agush Bujës, ish-sekretar i udhëheqjes së Lëvizjes Popullore të Kosovës jashtë vendit.
Buja, i cili sot jeton në Zvicër, thotë se roli i këtij shteti në krijimin dhe ngritjen e UÇK-së ishte vendimtar.
“Zvicra ishte e një rëndësie shumë të madhe për themelimin e UÇK-së”, deklaron ai për gazetën zvicerane.
“LPK-ja dhe UÇK-ja nuk mund të ndahen”
Gjatë viteve ’90, LPK-ja vepronte hapur në Zvicër si një organizatë politike, me drejtues të zgjedhur, gazetën e saj dhe një rrjet të gjerë në diasporë.
Me afrimin e luftës së viteve 1998–1999, sipas NZZ-së, kufiri ndërmjet veprimtarisë së LPK-së dhe asaj të UÇK-së u bë gjithnjë e më pak i dallueshëm.
LPK-ja mblidhte para, siguronte materiale dhe mobilizonte shqiptarë nga diaspora për t’iu bashkuar luftës.
Buja e përshkruan lidhjen ndërmjet dy organizimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“LPK-ja dhe UÇK-ja nuk mund të ndahen. Organizimi i armatosur doli drejtpërdrejt nga programi i LPK-së”, thotë ai.
Buja tregon se gjatë viteve ’80 veprimtarët shqiptarë në Zvicër përpiqeshin përmes demonstratave dhe veprimtarisë politike ta çlironin Kosovën nga pushteti jugosllav. Me kalimin e kohës, sipas tij, në plan të parë doli lufta e armatosur.
“E kuptuam se synimet tona duhej t’i arrinim në një mënyrë tjetër”, shprehet Buja.
Takimi në Winterthur dhe krijimi i fondit
Një nga kapitujt kryesorë të kësaj historie lidhet me qytetin e Winterthurit.
Sipas dëshmisë së Bujës, drejtuesit e LPK-së u mblodhën më 1993 në sallën e një restoranti në Winterthur. Tema qendrore e diskutimit ishte financimi i luftës.
Nga ky organizim doli fondi “Vendlindja Thërret”, i cili më vonë u shndërrua në një nga burimet kryesore financiare të UÇK-së.
NZZ shkruan se fondi mundësoi sigurimin e materialeve të nevojshme për luftën, duke përfshirë edhe blerjen e armëve dhe të municionit.
Sipas Bujës, vetëm në Zvicër kishte më shumë se 1,000 persona të autorizuar për të mbledhur kontribute nga mërgimtarët shqiptarë.
“Kanë dhuruar dhjetëra mijëra njerëz”, deklaron ai.
Bllokimi i llogarisë dhe hetimet zvicerane
Në korrik të vitit 1998, kur lufta në Kosovë tashmë kishte marrë përmasa të mëdha, Prokuroria Federale e Zvicrës ndërhyri dhe urdhëroi bllokimin e llogarisë së fondit “Vendlindja Thërret”.
Buja u arrestua përkohësisht, ndërsa autoritetet kontrolluan banesën e tij dhe zyrën e fondit në Aarau.
Hetuesit e pyetën për një shumë të konsiderueshme parash që ai e kishte dërguar në Shqipëri dhe nëse me ato mjete ishin blerë armë.
Buja deklaroi atëherë se nuk e dinte nëse paratë ishin përdorur për armë. Të njëjtin qëndrim e mban edhe sot.
Sipas tij, paratë ishin destinuar për të gjitha nevojat e UÇK-së dhe të popullsisë: ushqim, veshmbathje dhe “ndoshta edhe armë”.
Llogaria bankare u zhbllokua më vonë, ndërsa procedura ndaj Bujës u mbyll në vitin 2004 pa ngritje akuze dhe pa dënim.
Prokuroria Federale i ka konfirmuar NZZ-së se edhe disa procedura të tjera lidhur me blerje të dyshuara armësh nuk përfunduan me dënime në nivel federal. Sipas saj, disa nga të dyshuarit ishin larguar, disa mund të ndiqeshin në Shqipëri, ndërsa raste të caktuara iu kaluan autoriteteve kantonale.
Kamionët e ushtrisë zvicerane drejt Shqipërisë
NZZ sjell edhe një episod të veçantë nga fillimi i vitit 1999.
Sipas rrëfimeve të ish-aktivistëve kosovarë, mbështetësit e UÇK-së siguruan disa dhjetëra kamionë të çmobilizuar të ushtrisë zvicerane dhe i dërguan në Shqipëri.
Përpara autoriteteve të Zvicrës dhe të Italisë, transporti ishte paraqitur si operacion për dërgimin e ndihmave humanitare.
Megjithatë, sipas aktivistëve të cituar nga NZZ, kamionët në Shqipëri u ngarkuan me armë dhe më pas u përdorën nga forcat tokësore të UÇK-së në Kosovë.
Këto pohime paraqiten nga gazeta si rrëfime të ish-aktivistëve dhe jo si përfundime të vërtetuara nga ndonjë vendim gjyqësor.
Zvicra dhe Kosova
NZZ vlerëson se Zvicra pati një rol të veçantë në historinë e Kosovës. Ajo u krijoi hapësirë politike veprimtarëve që më vonë u bënë drejtues të UÇK-së, iu bashkua misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, ndërsa në vitin 2008 e njohu pavarësinë e Kosovës vetëm dhjetë ditë pas shpalljes së saj.
Gazeta kujton se në Zvicër kishte jetuar edhe Hashim Thaçi. Ai u vendos në Dietikon në vitin 1994 dhe studioi histori të Evropës Lindore në Universitetin e Cyrihut.
Buja thotë se e kishte njohur dhe mbështetur Thaçin gjatë asaj periudhe, duke e përfshirë edhe në një shoqatë kulturore shqiptare në St. Gallen.
Nga ky rreth veprimtarësh, sipas NZZ-së, dolën më vonë disa prej figurave kryesore të elitës politike dhe ushtarake të Kosovës.
NZZ e lidh publikimin e kësaj historie me aktgjykimin që Dhomat e Specializuara do ta shpallin më 16 shtator ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Të katër akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, mbi bazën e formave të ndryshme të përgjegjësisë penale individuale. Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Historia e financimit dhe furnizimit të UÇK-së nga diaspora nuk dëshmon se fondi “Vendlindja Thërret” kishte lidhje me krimet e pretenduara në aktakuzë.
Agush Buja vazhdon të besojë se ai dhe bashkëveprimtarët e tij ishin në anën e drejtë të historisë. Pas pensionimit, ai synon t’i shkruajë kujtimet e tij, për ta dokumentuar versionin e vet të ngjarjeve që çuan drejt çlirimit të Kosovës.
