Lajme

Oligarkët “puppet” të ndërtimit në skemën e pastrimit të parave, nga Dhjus Bushaj tek Gimi i Redbullit e Mand Lilo

Një operacion i gjerë i SPAK ka çuar në ekzekutimin e 20 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, kulla dhe resorte luksoze në Shqipëri.

Sipas hetimeve, grupi kriminal dyshohet se ka qarkulluar dhe pastruar mbi 128 milionë euro të ardhura nga trafiku i drogës, kryesisht përmes blerjeve të tokave dhe investimeve në sektorin e ndërtimit.

Megjithatë, në qendër të debatit ka përfunduar mungesa në listën e të arrestuarve të disa oligarkëve të rëndësishëm të vendit, prestanome të parave të pisëta. Pas goditjes së Ilir Shtufit, pastruesit kryesorë të parave të pisëta në ndërtim, pupeti i Zen Berishës, po Agim Zeqo, i njohur ndryshe si “Gimi i Redbullit”?! Apo Dhjus Bushaj i klanit Frangaj?

-Gimi, një figurë e njohur në qarqet e biznesit, dyshohet se ka pasur rol në lidhjet mes investitorëve të dyshimtë dhe projekteve të mëdha në ndërtim. Ndërsa dhjetëra persona janë arrestuar ose janë shpallur në kërkim, Zeqo nuk rezulton të jetë subjekt i ndonjë mase sigurie apo thirrjeje për t’u marrë në pyetje në kuadër të këtij operacioni.

Sipas pretendimeve të publikuara, emri i tij është përmendur edhe në raste të mëparshme që lidhen me dyshime për pastrim parash. Gjatë viteve të fundit kanë ekzistuar disa kallëzime dhe sinjalizime ndaj tij, por asnjë prej tyre nuk ka çuar në procedime penale apo masa konkrete.

Po ashtu, pretendohet se ai ka pasur përfshirje në transaksione të konsiderueshme financiare të lidhura me shitblerjen e tokave dhe projektet e ndërtimit, megjithëse deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga SPAK apo institucionet e tjera ligjzbatuese mbi këto akuza.

Deri në këtë moment, autoritetet nuk kanë bërë publike arsye se përse Agim Zeqo nuk është përfshirë në operacionin e fundit, ndërsa hetimet për rrjetin e dyshuar të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave vijojnë.

-Përsa i përket Dhjus Bushajt, për rikujtesë shoferi i katapultuar në oligark është një prej të shumtëve në Shqipëri ndërtues kullash apo edhe përfitues tenderash publikë, që njihen si “oligarchy puppets”, sepse emri i tij figuron vetëm në letra dhe paguhet për të mbyllur hesapet e kokave që qëndrojnë sipër tij.

Tashmë kullat me ndërtuara me paratë e pisëta të shefit të Dhjusit po lahen në lavatriçen e madhe të sistemit klientelist të Shqipërisë, aty ku punëtori mesatar e ëndërron një shtëpi e jo më të ndërtojë kulla nga hiçi.

Dhjusi ka marrë bekimin edhe për 17 kulla për t’u “mbjellë” në zemër të Liqenit të Farkës. 17 kulla me nga 30 kate secila, në një nga të vetmet zona të gjelbra të mbetura në Tiranë.
Projekti do të ndërtohet nga kompania Lion Construction, pronë e dy emrave tashmë të njohur në industrinë e betonit dhe luksit, Dhjus Bushaj dhe Erion Gina kunatit të Sandrit, dy personazhe që e kanë kthyer ndërtimin në sport kombëtar.

Bëhet fjalë për betonizimin e tejskajshëm të hapisërës së vetme të gjelbër në Tiranë. Lion Construction është e njëjta që ngriti “Lion Residence”, godinën që duket sikur i ka zënë frymën Parkut të Madh të Tiranës e po ashtu kullat e “Lion Park 2” tek Zogu i Zi.

-Një tjetër personazh prestanome i kësaj skeme është edhe xhupi i kuq firmë Burberry i kullës Eyes of Tirana. Mand Lilo, pronari i pallatit tek Farmacia 10, fasada e të cilit u ndez si copë kartoni e la pa shtëpi qindra qytetarë, është një prej ndërtuesve më të mëdhenj në vend, i përmendur shpesh në media për kullat me para të pisëta.
Kompania e tij ARLIS construction është një prej atyre që ka përfituar leje të shumta për kulla e komplekse pallatesh në kryeqytet e së fundmi në Farkë.

-Ndër emrat e listës së gjatë është edhe Arben Reli, një nga figurat më të diskutueshme për burimin e të ardhurave në sektorin e ndërtimit nga Korça në Tiranë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, në vitin 2021 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 9 muaj burg për falsifikim dokumentesh në procese legalizimi të objekteve në kryeqytet. Më herët, në vitin 2016, ai është arrestuar në Farkë për vijimin e punimeve në një kompleks vilash, pavarësisht pezullimit të lejes nga autoritetet.
Në vitin 2020, ai është shpallur në kërkim për ndërtim pa leje dhe falsifikim dokumentesh. Në qendër të akuzave që i janë atribuar në këto dosje janë falsifikimi i dokumenteve, ndërtime pa leje dhe dyshime për pastrim parash përmes sektorit të ndërtimit.

-Biznesmeni blu me gjak shumëngjyrësh si pallatet që ndërton, Fatmir Bektashi me leje për ndërtimin e një kompleksi në zonën e Liqenit të Farkës, në rrugën e “Turdive”.
Leja e re vjen në një moment kur Bektashi është nën hetim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ku ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Ndërkohë, emri i tij lidhet prej vitesh me zhvillime të mëdha ndërtimore në Tiranë, përfshirë edhe projekte masive në zona të ndryshme urbane, të cilat kanë ngjallur debat për ndikimin në infrastrukturë dhe planifikimin e qytetit.

-Artan Sako, vëllai i kryebashkiakut të Tepelenës Gramozit, ka bërë namin me leje e kulla. Dokumentet e KKTU-së kanë zbuluar një tjetër leje të madhe ndërtimi në Tiranë, një kullë 27-katëshe në Bulevardin e Ri,
Projekti, i realizuar përmes kompanive “2T” dhe “Be-Is”, shtrihet në një nga zonat më strategjike të kryeqytetit, duke ngritur dyshime për shfrytëzim maksimal të truallit dhe densitet të lartë ndërtimi, tipik për projektet e kullave në Tiranën e re urbane.

-Erion Gina, kunati i famshëm i Sandrit, pjesë e pastrimit të vilave të klanit Frangaj. Sekseri i hoteleve me para të dyshimta, ka nisur së fundmi kamuflimin në skemë edhe të të futbollistëve të kombëtares.
Ky klan ndërtimi e zgjeron aktivitetin kryesisht në zonën e Jugut, Palasë, Dhërmi, Gjilekë e Kondraq së bashku me Lenc Gjikurinë./JOQ

Të Ngjashme