Lajme

Opozita ende pa vendim për dërgimin e çështjes së konstituimit të Kuvendit në Kushtetuese

Seanca e fundit konstituive u ndërpre mesditën e së shtunës.

Mirëpo, në Kuvendin e Kosovës, deputetët nuk u kthyen as pas 48-orëve.

Në këtë formë, organi legjislativ mbeti i pakonstituuar kurse afati kushtetues 30 ditor për këtë kaloi.

Tëvë1 të martën ka provuar të marrë një përgjigje nëse për këtë çështje partitë opozitare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Por, asnjëra prej tyre nuk ka kthyer përgjigje.

Mirëpo, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se një hap i tillë, do t’i shërbente fituesit të zgjedhjeve.

“E para është çështje e sqaruar dhe s’ka çka të sqarohet, për mendimin tim, dhe e dyta, vetë fakti që e dërgojnë atje mund t’i shërbejë fituesit të zgjedhjeve, nëse e ka atë qëllim, që ta zvarrisë procesin”, vlerwson Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, thotë se Gjykata Kushtetuese po përdoret për qëllime të tjera.

“Është e pakuptimtë që me pas vullnet me shpërfillë rendin ligjor kushtetues në vend, siç e ka subjekti më dominant në Kuvendin e Kosovës, sa që mezi pret që të dërgohet dhe të blihet kohë përmes shpjegimeve të Gjykatës për të gjitha këto veprime krejtësisht antikushtetuese”, shprehet Maloku.

Afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit ishte mesnata e 7 gushtit.

Por, derisa çështja e Kuvendit mbetet e pazgjidhur, një tjetër afat kushtetuese ka filluar të ecë.

Bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Nuk e di sa e ka mandatin ajo që është U.D. presidente, Albulena Haxhiu, por nëse asaj i kalon afati gjashtëmujor, atëherë ne jemi në zgripc, jemi thjesht në shkelje të Kushtetutës, por edhe në vakum kushtetues, sepse nuk parasheh Kushtetuta çka më tutje në situata të tilla. Anise Gjykata Kushtetuese ka thënë në një vendim të saj se pas afatit 60-ditor automatikisht shkohet në zgjedhje, nuk ka nevojë as Kuvendi e as presidenti t’i shpallë zgjedhjet”, thotë Baraliu.

Ndryshe, së fundmi kjo gjykatë u bë adresa kryesore e të zgjedhurve të popullit pas çdo ngërçi politik.

Të Ngjashme