Lajme

Orët e fundit për zgjedhjen e presidentit, Nura: Mosbesimi mes PDK-së dhe LVV-së, jashtëzakonisht i lartë

Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka deklaruar se partia e tij është e interesuar që të miratohet projektligji për Gjykatën Speciale dhe vetëm më pas të diskutohet për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Nura tha se të dyja çështjet nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe se çështja e Gjykatës Speciale duhet të trajtohet si interes kombëtar, e jo si çështje për këmbim votash për presidentin.

“Ne në leximin e dytë kemi ngec. Ne jemi të interesuar ta kalojmë projektligjin për Specialen, pastaj të diskutojmë për presidentin, pasi asnjëra s’janë të lidhura për njërën-tjetrën. Gjykata Speciale i takon interesimit dhe interesit kombëtar mbi partiak dhe kjo nuk do duhej të shikohej nga LVV si këmbim të votave për presidentin e Kosovës. Ne kemi thënë që një president i cili do të ishte i denjë dhe do t’i mbronte interesat e përgjithshme të shtetit të Kosovës dhe të ishte i pranueshëm për gjithë qytetarët e Kosovës, mendoj që president partiak në këtë kohë nuk do i duhej, pasi që nuk na garanton përpjekjet e tij serioze që do të bëjë për ndryshimet dhe ligjet në Gjykatën Speciale”, tha Nura në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ai ka folur edhe për raportet ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se niveli i mosbesimit mes dy subjekteve është shumë i lartë.

Sipas tij, fillimisht duhet të miratohet ligji për Specialen dhe më pas të zhvillohen diskutime me të gjithë akterët politikë për gjetjen e një kandidati të pranueshëm për president.

“Mosbesimi mes PDK-së dhe LVV-së është në nivel jashtëzakonisht të lartë, kështu që mendoj që së pari duhej të miratohet ligji, pastaj të ftohen të gjithë akterët politikë dhe të gjejnë një emër, pasi që jemi në orët e fundit të kësaj mundësie dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë është një fatkeqësi, pasi që qytetarët edhe një herë do t’u drejtohej kutive të votimit”, u shpreh Nura./teve1.info/

 

Të Ngjashme