Organizata “Brigada e Veriut” (Severna Brigada), e shpallur terroriste nga institucionet e Republikës së Kosovës, ka publikuar një video me mesazhe kërcënuese ndaj Kosovës.
Në të shfaqen persona të armatosur, ndërsa njëri prej tyre thotë se ndodhet në një “fushëbetejë” dhe se po përgatiten për të ardhur në Kosovë.
Videoja, e publikuar në profilin e “Severna Brigada” në Facebook, përmban mesazhe të drejtpërdrejta kërcënuese dhe pretendime për përgatitje për ardhje në Kosovë, ndërsa në të përdoret edhe narrativë nacionaliste serbe dhe përmendet lidhja mes Rusisë dhe Serbisë..
Në video, njëri prej personave, i cili thotë se ndodhet në një “fushëbetejë”, paralajmëron se po përgatiten për të ardhur në Kosovë, duke përdorur gjuhë nacionaliste dhe kërcënuese.
“Së pari t’a përshëndes shpirtin tim, Manjën, e përqafon vëllai… Ne jemi këtu për momentin, punojmë, punojmë edhe unë edhe vëllai im Rus. Zdravo! Përshëndetje të madhe. Të gjithëve përshëndetje të mëdha nga ne. Po përgatitemi për Kosovën e shenjtë. Të shohim pastaj se çfarë do të ndodhë, kur të vijmë atje nga kjo fushëbetejë. Siç thotë njëri, gjithçka do të jetë Rusi, vetëm Kosova Serbi. Na pritni, së shpejti po vijmë. Atëherë do të shohim kush jeni ju e kush jemi ne. Ju do vëllai”, ka thënë ai në mesazhin kërcënues.
Në një moment të videos, personi tjetër shprehet në gjuhën ruse, që në shqip përkthehet: “Tung. Përshëndetje e madhe.”
“Severna Brigada” (Brigada e Veriut) është shpallur organizatë terroriste nga institucionet e Republikës së Kosovës më 29 qershor 2023.
