Një proverb i vjetër thotë: “Kur bie shi në gusht, bie mjaltë dhe verë.”
Gushti, muaji i fundit i plotë i verës, lidhet me temperaturat e larta, pushimet familjare përpara rikthimit në shkollë dhe kopshtet plot prodhime gati për t’u vjelë. Por përtej kësaj, ai mbart edhe një histori të pasur me tradita, dukuri qiellore, festa të harruara dhe besëtytni që lidhen me motin. Ja disa prej tyre.
Origjina e emrit “Gusht”
Në kalendarin e lashtë romak, ky ishte muaji i gjashtë dhe quhej Sextilis, që në latinisht do të thotë “i gjashti”. Në vitin 8 para Krishtit, Senati Romak vendosi ta riemërtonte në nder të Perandorit August (Augustus Caesar). Më herët, Senati kishte bërë të njëjtën gjë edhe me muajin korrik, duke e emërtuar sipas Jul Çezarit pas vrasjes së tij. Kur Augusti u bë perandori i parë i Romës, kërkoi të nderohej në të njëjtën mënyrë. Me miratimin e kalendarit Gregorian në vitin 1582, gushti u bë muaji i tetë i vitit.
Hëna e plotë e gushtit dhe fenomenet astronomike
Hëna e plotë e gushtit njihet nga fiset vendase amerikane si “Hëna e Peshkut Bli” (Sturgeon Moon), pasi në fund të verës ky peshk gjigant kapej me shumicë në Liqenet e Mëdha, sipas The Old Farmer’s Almanac.
Mesi i gushtit është gjithashtu periudha më e mirë për të vëzhguar Perseidët, shiun më të famshëm të meteorëve gjatë vitit. Sipas NASA-s, gjatë kulmit të fenomenit mund të shihen nga 50 deri në 100 meteorë në orë, të cilët përshkojnë qiellin me gjurmë të ndritshme dhe topa zjarri.
Festa dhe tradita të harruara
Gushti përfshin një sërë festash të pazakonta dhe përvjetorësh historikë.
Më 2 gusht festohet Dita Kombëtare e Mustardës, më 4 gusht Dita Kombëtare e Biskotave me Copëza Çokollate, ndërsa më 8 gusht shënohet me humor Dita Kombëtare e Lënies së Fshehtë të Kungulleshkave në Verandën e Fqinjit.
1 Gushti dikur ishte një festë e rëndësishme për afrikano-amerikanët, pasi përkujtonte Aktin e Heqjes së Skllavërisë të vitit 1834, me të cilin u liruan rreth 800 mijë skllevër në kolonitë britanike. Sipas The Washington Post, kjo traditë u venit pas Luftës Civile Amerikane.
Në vitin 1939, presidenti Franklin D. Roosevelt shpalli 19 gushtin Ditën Kombëtare të Aviacionit, në nder të ditëlindjes së Orville Wright.
Më 17 gusht nisin të ashtuquajturat “Netët e Maceve”, një traditë e folklorit irlandez. Legjenda thotë se një shtrigë mund të shndërrohej në mace tetë herë, por në transformimin e nëntë nuk mund të rikthehej më në formën njerëzore. Pikërisht nga kjo legjendë besohet se ka lindur shprehja: “Macja ka nëntë jetë.”
Një tjetër festë e lashtë është Lammas, ose Lughnasadh, festa kelte e korrjes së drithërave, që zhvillohej në fund të korrikut ose në fillim të gushtit. Emri Lammas do të thotë “Mesha e Bukës”, pasi gjatë ceremonisë bekoheshin bukët e pjekura nga gruri i korrjes së re. Kjo traditë vazhdoi deri në mesin e shekullit XIX.
Besëtytni dhe folklor
Moti i gushtit ka frymëzuar prej shekujsh një sërë proverbash popullore. Sipas The Old Farmer’s Almanac, ndër më të njohurat janë:
“Për çdo mjegull në gusht, dimri do të sjellë një reshje dëbore.”
“Nëse java e parë e gushtit është jashtëzakonisht e nxehtë, dimri që vjen do të jetë i gjatë dhe me shumë dëborë.”
“Nëse një korrik i nxehtë pason një gusht të ftohtë, pritet një dimër i ashpër dhe i thatë.”
“Kur bie shi në gusht, bie mjaltë dhe verë.”Në Brazil, gushti konsiderohet tradicionalisht një muaj ters. Siç shkruan The New York Times, është shumë e përhapur shprehja “Agosto, mês do desgosto”, që përkthehet: “Gushti, muaji i trishtimit.” Gjatë këtij muaji njerëzit shmangin udhëtimet, martesat dhe lojërat e fatit, ndërsa shtohet kërkesa për hajmali që besohet se sjellin fat.
Në Argjentinë, supersticioni shkon edhe më tej. Sipas një besimi popullor, larja e flokëve gjatë gjithë muajit gusht duhet shmangur, pasi besohet se “thërret vdekjen”.
Fatkeqësi natyrore që kanë shënuar muajin gusht
Gushti njihet edhe për fenomenet ekstreme të motit, si uraganet, zjarret dhe valët e të nxehtit. Disa nga ngjarjet më të njohura historike janë:
Më 24 gusht të vitit 79 pas Krishtit, shpërthimi i malit Vezuv në Italinë jugore varrosi qytetet e Pompeit dhe Herkulanumit, duke shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve.
Disa nga uraganet më shkatërruese në histori kanë goditur në muajin gusht, mes tyre uragani Allen në Gadishullin Jukatan të Meksikës (1980), Andrew në Florida (1992), Katrina në Luiziana (2005) dhe Harvey në Teksas (2017).
Më 25 gusht 1814, një tornado goditi Uashingtonin, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima. Ironikisht, stuhia ndihmoi edhe në shuarjen e zjarreve që trupat britanike kishin ndezur një ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë, Kapitolin e SHBA-së dhe ndërtesa të tjera qeveritare.
Burimi: History.com
