Kuriozitete

Dokumenti i sigurimit të Titanikut del në ankand, pritet të shitet deri në 50 mijë paund

 

Një dokument historik që lidhet me sigurimin e anijes legjendare ‘Titanic’ pritet të shitet në ankand për një shumë deri në 50 mijë paund britanikë.

Bëhet fjalë për kopjen e vetme të njohur të një dokumenti sigurimi që mbulonte trupin metalik të anijes gjatë provave të saj në det, vetëm pak javë përpara mbytjes tragjike në vitin 1912.

Dokumenti është nënshkruar më 27 mars 1912, vetëm 19 ditë përpara se Titaniku të përplasej me një ajsberg në udhëtimin e tij të parë drejt Nju Jorkut, më 15 prill. Në këtë tragjedi humbën jetën rreth 1 500 persona.

Polica ishte lëshuar nga kompania amerikane e sigurimeve Atlantic Mutual Insurance Company dhe parashikonte një mbulim prej 100 mijë dollarësh për trupin prej çeliku të anijes. Sipas vlerësimeve, kjo shumë do të ishte e barasvlershme me rreth 3.5 milionë dollarë sot.

Një nga detajet më interesante të dokumentit është një shënim i shkruar me dorë, i cili zgjeronte mbulimin e sigurimit edhe për udhëtimin e Titanikut nga Belfasti drejt Southamptonit, si dhe për provat në det. Polica ishte e vlefshme për një vit, duke nisur nga 30 marsi 1912.

Pas fundosjes së anijes, shuma e përcaktuar në sigurim u pagua brenda 30 ditëve.

Dokumenti do të dalë në ankand më 21 nëntor, në shtëpinë e ankandeve Henry Aldridge & Son, në Devizes të Anglisë. Vlera e pritshme e shitjes është nga 30 mijë deri në 50 mijë paund.

Organizatorët e ankandit e konsiderojnë dokumentin një objekt jashtëzakonisht të rrallë, duke theksuar se nuk kanë identifikuar ndonjë shitje të mëparshme të një police origjinale sigurimi për vetë Titanikun.

 

 

Të Ngjashme