Të shtunën, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), u vendos që Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente dhe bartëse e listës zgjedhore, ndërsa Lumir Abdixhiku të jetë kandidat për kryeministër.
Dy figura të njohura të LDK-së, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, të cilët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me rikthimin e Osmanit në parti, nuk morën pjesë në këtë mbledhje.
Lidhur me mungesën e tyre, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se të gjithë janë pjesë e listës garuese dhe se mungesa në disa takime është e zakonshme, duke theksuar se ata mbeten pjesë e angazhimit politik të partisë.
Nga ana tjetër, deputeti Avdullah Hoti, përmes një reagimi, theksoi se LDK është më e madhe se çdo individ. Ai u shpreh se “emrat vijnë e shkojnë, por LDK mbetet shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci, shtetndërtim dhe orientim perëndimor”, duke shtuar se asnjë individ nuk mund të jetë mbi partinë, pasi forca e saj buron nga struktura, anëtarësia dhe historia e saj.
Kurse, nga deputetja Hykmete Bajramin deri tani nuk ka asnjë reagim.
Jakupi: Kundërshtimet ose rezervat e brendshme mund të ndikojnë në disa drejtime
Sipas analistit Zejnullah Jakupi, Vjosa Osmani ka qenë figurë e fortë elektorale brenda LDK-së, por edhe burim tensionesh të brendshme. Ai thekson se mbështetja e saj nga figurat kryesore të partisë nuk është vetëm çështje formale, por politike dhe praktike në terren.
Edhe pse pritet mbështetje publike nëse ajo kandidohet, Jakupi paralajmëron se mbështetja reale varet nga angazhimi konkret në fushatë. Ai përmend Hykmete Bajramin dhe Avdullah Hotin si figura që kanë pasur më herët qëndrime kritike ndaj Osmanit.
Sipas tij, nëse mbështetja mbetet vetëm deklarative, mund të krijohet përshtypje e unitetit artificial, gjë që mund të ndikojë negativisht në votues dhe strukturat e partisë.

Zejnullah Jakupi
“Vjosa Osmani ka qenë një nga figurat më të fuqishme elektorale që ka dalë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por njëkohësisht edhe një nga emrat që ka prodhuar më shumë tensione të brendshme në parti. Për këtë arsye, pyetja nëse figurat kryesore të LDK-së do ta mbështesin realisht atë nuk është vetëm çështje formale, por mbi të gjitha politike.
Në aspektin zyrtar, nëse LDK vendos ta kandidojë Osmanin, strukturat dhe figurat kryesore të partisë pritet ta mbështesin publikisht, për shkak të disiplinës partiake dhe interesit elektoral. Megjithatë, në politikë mbështetja reale nuk matet vetëm me deklarata publike, por me angazhimin konkret në terren, mobilizimin e elektoratit dhe unitetin e mesazhit politik gjatë fushatës.
Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti kanë pasur në të kaluarën qëndrime kritike ndaj Osmanit, sidomos gjatë përçarjeve që ndodhën në LDK pas zhvillimeve politike të vitit 2020 dhe rrëzimit të qeverisë Kurti. Këto dallime nuk kanë qenë vetëm personale, por kanë reflektuar edhe vizione të ndryshme për drejtimin dhe funksionimin e partisë.
Nëse mbështetja ndaj Osmanit mbetet vetëm formale dhe jo e shoqëruar me energji të plotë politike nga figurat kyçe të LDK-së, atëherë mund të krijohet perceptimi i një uniteti artificial brenda partisë. Në politikë, perceptimi i përçarjes shpesh ndikon drejtpërdrejt në motivimin e votuesve, aktivistëve dhe strukturave lokale”, thotë ai.
Tutje, Jakupi thekson se brenda LDK-së mund të ketë kundërshtime ndaj Vjosa Osmanit, të cilat rrezikojnë të krijojnë paqartësi te votuesit, të dobësojnë fushatën dhe të nxisin ndarje të brendshme.
Megjithatë, ai thotë se nëse partia e paraqet kandidaturën e saj si kompromis unifikues, këto tensione mund të menaxhohen.
“Kundërshtimet ose rezervat e brendshme mund të ndikojnë në disa drejtime: duke krijuar paqartësi te elektorati tradicional i LDK-së, duke dobësuar koordinimin e fushatës dhe duke forcuar grupimet që vazhdojnë të kenë rezerva ndaj Osmanit. Në anën tjetër, nëse LDK arrin ta paraqesë kandidaturën e saj si kompromis politik dhe si figurë unifikuese me potencial elektoral, tensionet mund të menaxhohen.
Osmani historikisht ka pasur mbështetje të konsiderueshme publike dhe kjo mund të ndikojë që edhe figurat skeptike brenda partisë të vendosin interesin elektoral përpara dallimeve të së kaluarës. Megjithatë, rreziku për përçarje të reja mbetet i pranishëm nëse rikthehen debatet e vjetra, krijohen kampe rivale brenda listave zgjedhore ose nëse figura të rëndësishme ndihen të anashkaluara politikisht.
Në fund, shumëçka do të varet nga aftësia e lidershipit të LDK-së për të krijuar balancë mes figurave tradicionale të partisë dhe mbështetësve të Osmanit. Nëse kjo arrihet, kandidatura e saj mund të shërbejë jo vetëm si aset elektoral, por edhe si mundësi për rikonsolidimin dhe bashkimin e partisë përballë zgjedhjeve.
Kandidatura e Vjosa Osmani si bartëse e listës së Lidhja Demokratike e Kosovës do të mund ta rriste ndjeshëm rezultatin elektoral të LDK-së dhe madje ta poziciononte atë si forcën e dytë politike në vend. Një zhvillim i tillë do të krijonte rrethana të reja në skenën politike dhe do të hapte mundësi reale për kompromis institucional me Lëvizja Vetëvendosje në funksion të krijimit të institucioneve.
Osmani historikisht ka dëshmuar se posedon kapital politik dhe elektoral që tejkalon votuesin tradicional të LDK-së. Ajo ka arritur të mobilizojë votues të qendrës, qytetarë të zhgënjyer nga partitë tradicionale, si dhe një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të ri që kërkon përfaqësim më reformist dhe më kredibil politik.
Në rast se ajo do të ishte në krye të listës së LDK-së, kjo do të mund të ndikonte drejtpërdrejt në mobilizimin e bazës së fjetur të partisë, rikthimin e një pjese të votuesve që janë larguar pas krizave të brendshme dhe forcimin e konkurrueshmërisë së LDK-së përballë LVV-së dhe partive të tjera opozitare” – tha ai.
Në përfundim, analisti shtoi se një LDK më e fortë nën ndikimin e Vjosa Osmani do ta ndryshonte balancën politike dhe mund të hapte rrugë për bashkëpunim me LVV.
Por, kjo do të sillte përçarje brenda LDK-së, pasi figura si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami do të ishin kundër afrimit me LVV.
“Një rezultat më i fortë i LDK-së nën udhëheqjen politike të Osmanit do ta ndryshonte ndjeshëm matematikën paszgjedhore. Njëkohësisht, kjo do të krijonte hapësirë për një kompromis të mundshëm me LVV-në, duke pasur parasysh bashkëpunimin e mëhershëm politik ndërmjet Osmanit dhe Albin Kurti, si dhe faktin se elektorati i saj perceptohet më afër frymës reformiste sesa krahut tradicional konservator të LDK-së.
Po ashtu, një pjesë e votuesve të LDK-së do ta pranonin më lehtë një bashkëpunim me LVV-në nëse Osmani do të ishte faktor kyç në atë proces.
Megjithatë, një skenar i tillë do të mund të prodhonte edhe tensione të brendshme brenda LDK-së. Figura të rëndësishme të partisë, si Avdullah Hoti apo Hykmete Bajrami, mund të shfaqnin rezervat e tyre ndaj një afërsie politike me LVV-në, për shkak të përplasjeve të mëhershme politike dhe mënyrës se si u rrëzua qeveria Kurti–LDK në vitin 2020.
Në përmbledhje, kandidatura e Osmanit do të mund ta fuqizonte ndjeshëm LDK-në, ta poziciononte atë si urë kompromisi për krijimin e institucioneve dhe njëkohësisht të hapte një debat të ri të brendshëm për orientimin politik të partisë — nëse LDK-ja duhet të vazhdojë si një parti tradicionale e qendrës së djathtë apo të afrohet më shumë me frymën reformiste që përfaqësojnë Osmani dhe një pjesë e elektoratit të LVV-së” – përfundon ai.
Gashi: Vjosa Osmani në listën e LDK-së: bashkim elektoral apo test i madh i unitetit?
Kurse, Eduard Gashi, njohësi i politikës, ka thënë se vendimi i LDK-së për ta vendosur Vjosa Osmanin bartëse të listës dhe kandidate për presidente paraqet një nga kthesat më të mëdha politike në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai thekson se, ndonëse LDK e paraqet këtë si bashkim të brendshëm, në realitet është një test i madh për partinë nëse mund t’i kthejë përçarjet e së kaluarës në forcë elektorale apo do t’i bartë si dobësi në fushatë.

Eduard Gashi
“Vendimi i LDK-së për ta vendosur Vjosa Osmanin si bartëse të listës dhe kandidate për presidente është një prej kthesave më të mëdha politike në Kosovë para zgjedhjeve të 7 qershorit. Formalisht, LDK po e paraqet këtë si “bashkim” dhe si kthim të një figure të rëndësishme në familjen politike ku ajo u formua. Politikisht, megjithatë, ky është edhe një test i madh për vetë LDK-në: a është partia në gjendje të shndërrojë plagët e së kaluarës në energji elektorale, apo do t’i bartë ato si dobësi në fushatë?
Fakti i parë është i qartë: Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së vendosi që Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente dhe bartëse e listës, ndërsa Lumir Abdixhiku kandidat për kryeministër. Por mungesa e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit në këtë moment politik nuk është detaj protokollar; është sinjal politik. Të dy janë përmendur si zëra me rezerva ndaj bashkëpunimit me Osmanin, ndërsa Bajrami e ka arsyetuar mungesën me shkaqe shëndetësore dhe Hoti është kufizuar me mesazhin “LDK mbi të gjitha”.
Pyetja kryesore nuk është nëse Hoti dhe Bajrami do ta sabotojnë Osmanin hapur. Kjo nuk ka gjasa, sepse do t’i dëmtonte edhe ata vetë. Pyetja reale është tjetër: a do ta mbështesin me bindje, me energji dhe me trupën e tyre politike, apo vetëm formalisht? Në politikë, sidomos në një parti tradicionale si LDK-ja, ka dallim të madh mes “nuk jam kundër” dhe “jam plotësisht në fushatë për ty”.
Lumir Abdixhiku tentoi ta mbyllë këtë çarje me formulën se “nuk mund të jesh edhe pjesë e listës edhe kundër”, duke thënë se Hoti dhe Bajrami janë pjesë e listës dhe do të vazhdojnë angazhimin. Kjo është një përgjigje e mençur organizative, por jo domosdoshmërisht zgjidhje politike. Një listë e përbashkët mund të krijohet me votë; besimi i brendshëm nuk krijohet me vendim këshilli”, potencon ai.
Sipas Gashit, kthimi i Vjosa Osmanit mund të jetë avantazh i madh për LDK-në nëse menaxhohet mirë, pasi zgjeron elektoratin dhe sfidon narrativën e Vetëvendosjes. Por nëse ka përçarje të brendshme, ajo mund të kthehet edhe në burim tensioni.
Ai gjithashtu e paraqet raportin Kurti–Osmani si moment të prishjes së një bashkëpunimi politik që çoi në krizë institucionale dhe zgjedhje të përsëritura, duke e kritikuar Kurtin për mungesë kompromisi.
“Nëse LDK arrin ta menaxhojë këtë kthim, kandidatura e Osmanit mund të jetë fitore strategjike. Ajo i jep LDK-së një figurë me peshë kombëtare, i zgjeron elektoratin përtej strukturës klasike partiake dhe e godet drejtpërdrejt narrativën e Albin Kurtit se vetëm Vetëvendosja përfaqëson “ndryshimin”. Por nëse pakënaqësitë e brendshme mbeten të papërpunuara, Osmani mund të bëhet jo vetëm aset elektoral, por edhe pikë e re tensioni.
Këtu hyn elementi më i rëndësishëm: marrëdhënia Kurti–Osmani. Vjosa Osmani nuk u largua nga skena si humbëse politike; ajo u la pa mbështetje nga ish-aleati i saj. Zgjedhjet e parakohshme erdhën pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa Reuters raportoi se Vetëvendosje nuk arriti të siguronte mbështetjen e opozitës për kandidatin e saj, Glauk Konjufca, ndërkohë që opozita kërkonte kandidat konsensual. Në seancë ishin vetëm 66 deputetë, më pak se kuorumi prej 80 deputetësh.
Në lexim politik, ky ishte momenti ku Kurti zgjodhi kontrollin para kompromisit. Në vend që ta propozonte Osmanin, një figurë që potencialisht mund të kishte më shumë gjasa për konsensus, ai shtyu kandidaturën e vet partiake. Kjo e hapi rrugën drejt krizës institucionale dhe zgjedhjeve të reja. Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, e ka quajtur këtë drejtpërdrejt “tradhti” ndaj Osmanit dhe ka thënë se po të ishte propozuar ajo, votat për presidente do të ishin siguruar.
Prandaj LDK duhet ta kornizojë fushatën jo thjesht si rikthim të Osmanit, por si përgjigje ndaj një modeli qeverisjeje që prodhon krizë pas krize. Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të treta parlamentare në pak më shumë se një vit, dhe kjo nuk është shenjë vitaliteti demokratik; është simptomë e bllokimit institucional. Analizat europiane paralajmërojnë se cikli i vazhdueshëm zgjedhor po dëmton edhe perspektivën e integrimit europian dhe reformat që lidhen me fondet e BE-së.
Këtu qëndron akuza më e rëndë ndaj Kurtit: ai nuk është thjesht një politikan konfliktual; ai është bërë faktor destabilizues i sistemit. Kur një kryeministër e trajton presidencën si instrument kontrolli partiak, kur nuk ndërton konsensus dhe kur krizat përfundojnë vazhdimisht në zgjedhje të reja, demokracia formalisht funksionon, por substanca e saj dobësohet. Institucionet nuk janë pronë e fituesit të zgjedhjeve; ato janë garanci për shtetin.
Për LDK-në, rreziku është i dyfishtë. Në njërën anë, ajo mund të fitojë momentum me Osmanin. Në anën tjetër, nëse figurat si Hoti dhe Bajrami qëndrojnë të ftohta, LVV do ta përdorë këtë menjëherë për të thënë se LDK është e ndarë dhe se Osmani është kthyer në një shtëpi që ende nuk e ka pranuar plotësisht. Kjo është arsyeja pse LDK nuk duhet të mjaftohet me fotografi, deklarata dhe mbledhje. Ajo duhet të prodhojë pamje reale uniteti: dalje të përbashkëta, mesazhe të sinkronizuara dhe një disiplinë publike që nuk lë hapësirë për dyshime”, deklaroi ai për “Bota sot”.
Mes tjerash, Gashi deklaroi se Vjosa Osmani është shans i madh për LDK-në, por vetëm nëse partia bashkohet realisht rreth saj. Nëse ka përçarje të brendshme, ajo mund të kthehet në dobësi dhe t’i shërbejë Kurtit politikisht.
“Në fund, kandidatura e Vjosa Osmanit është një mundësi e madhe për LDK-në, por jo pa kosto. Ajo mund ta bashkojë partinë rreth një narrative të re: LDK si forcë institucionale, pro-europiane dhe stabilizuese përballë një Kurtizmi që e ka kthyer krizën në metodë politike. Por nëse LDK nuk e shëron brenda vetes konfliktin e vjetër me Osmanin, atëherë rrezikon që arma më e fortë elektorale të kthehet në provën më të madhe të dobësisë së saj.
Formula është e thjeshtë: nëse LDK bashkohet realisht, Osmani mund të jetë goditja më e rëndë politike ndaj Kurtit. Nëse bashkohet vetëm në letër, Kurti do ta shfrytëzojë për ta paraqitur LDK-në si parti që nuk di as të pajtohet me vetveten” – përmbylli ai për “Bota sot”.
