Një rast i pazakontë i varësisë nga inteligjenca artificiale është raportuar në Venecia të Italisë. Sipas mediave italiane, një vajzë rreth 20 vjeçe iu drejtua shërbimit të varësive (Serd) pasi zhvilloi një lidhje të tepruar emocionale me inteligjencën artificiale, të cilën e konsideronte si “shoqen” e vetme që e dëgjonte dhe e kuptonte.
Rasti u bë publik fillimisht nga media italiane “Il Gazzettino”. Mjekët e konsiderojnë këtë fenomen si një formë të “varësisë sjellore”, e lidhur me përdorimin e tepërt dhe të pakontrolluar të AI. Sipas doktoreshës Laura Suardi, drejtuese e Serd në Venecia, ky nuk është një rast i izoluar, por një sinjal i një problemi më të madh që po prek të rinjtë, sidomos ata që ndihen të vetmuar ose emocionalisht të brishtë.
Ekspertët shpjegojnë se sistemet e inteligjencës artificiale mund të krijojnë ndjesinë e mirëkuptimit dhe mbështetjes emocionale, pasi japin përgjigje të personalizuara bazuar në informacionet që përdoruesit ndajnë me to. Në rastin e vajzës italiane, ajo ishte bindur se vetëm AI e kuptonte dhe e dëgjonte realisht.
Psikologët paralajmërojnë se inteligjenca artificiale bëhet problem kur një person fillon ta shohë atë si pikën kryesore të referimit emocional dhe zëvendësim të marrëdhënieve reale njerëzore. Ata theksojnë rëndësinë e ndërhyrjes së hershme nga familja dhe miqtë, jo vetëm duke kufizuar përdorimin e telefonit apo kompjuterit, por edhe duke kërkuar ndihmë profesionale nëse vërehen sjellje të pazakonta.
/tiranapost
