Lajme

Osmani thirrje diasporës për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, u është drejtuar qytetarëve në diasporë duke u bërë thirrje që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Osmani e ka cilësuar mërgatën si një ndër shtyllat më të rëndësishme të vendit, duke theksuar rolin e saj historik në periudhat më të vështira për Kosovën.

Ajo është shprehur se takimet dhe diskutimet me diasporën kanë qenë pjesa më e bukur e mandatit të saj në Presidencë.

“Ju asnjëherë nuk e latë Kosovën vetëm. E mbajtët gjallë në momentet më të rënda, e ringritët kur ishte e rrënuar dhe i dhatë shpresë kur ishte më e nevojshme,” ka deklaruar Osmani.

Në mesazhin e saj, ajo u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të kontribuojnë sërish përmes votës së tyre, duke theksuar se pjesëmarrja e diasporës është thelbësore për forcimin e shtetit.

“Edhe tani, atdheu ka nevojë për ju. Regjistrohuni, votoni dhe ndikoni,” ka theksuar ajo, duke shtuar se sa më afër që të jetë diaspora në vendimmarrje, aq më e fortë do të jetë Kosova.

Të Ngjashme