Lajme

Osmani:Serbia ende fle mbi varreza masive

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia ende fle mbi varreza masive.

Osmani ka thënë se me fshehjen e vendodhjes se 1,600 personave të zhdukur, Serbia përsërit krimet.

“Serbia ende përsërit krimet, duke fshehur në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, mijëra familje në Kosovë ende jetojnë me dhimbjen e papërshkrueshme të plagëve që nuk janë mbyllur kurrë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Duke folur për lokacionin e zbuluar në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut ka thënë se Serbia ende nuk ka hequr dorë për zhdukjen e popullit të Kosovës.

“23 intelektualë nga Mitrovica u rrëmbyen dhunshëm nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke i lënë familjet e tyre, Mitrovicën dhe gjithë Kosovën në ankth të përditshëm për 27 vjet. Kontributi i tyre në arsim, shëndetësi e në veprimtari atdhetare do të mbesë gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Mitrovicës.

Zbulimi i varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se gjenden eshtrat e tyre, ndonëse është një lehtësim për familjet, është njëkohësisht një rikujtim i dhimbshëm se ndajmë një kufi prej afro qindra kilometrash me një fqinj që ende nuk ka hequr dorë nga synimet e tij për të na zhdukur.

Përballë një rreziku të tillë, përballë dhimbjes së vazhdueshme të familjeve të Kosovës që ende kërkojnë vendndodhjen e më të dashurve të tyre dhe përballë një armiku që ende fle mbi varrezat masive të fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, asnjë dallim mes nesh nuk duhet të ketë rëndësi. Asnjë”, ka thënë Osmani.

Autoritet e Kosovës kanë arrestuar tre persona të dyshuar për krime lufte që lidhen me rastin në Kalludër.

Nga gërmimet janë gjetur disa mbetje mortore.

Të Ngjashme