Lajme

​OVL-UÇK krijoi platformën: Ndër prioritete debati institucional për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj drejtuesve të UÇK-së lansoi një platformë, njoftoi nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi.

Ai bëri të ditura prioritetet e kësaj platforme.

Sopi: Prioritete mbështetja e mbrojtjes në Apel, monitorimi i të drejtave të të dënuarve

“Qëllimi i Platformës është që OVL-UÇK ta shndërrojë reagimin pas aktgjykimit në veprim të organizuar, profesional dhe të vazhdueshëm. Prioritetet janë: mbështetja e mbrojtjes në Apel, monitorimi i të drejtave të të dënuarve, inicimi i debatit institucional për amendamentimin ose shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053, kërkimi i përgjegjësisë politike, presioni qytetar paqësor, angazhimi ndërkombëtar dhe ruajtja e dokumentuar e historisë së UÇK-së”, tha Sopi.

Ai tha se për zbatimin e platformës duhet të krijohet Këshilli Koordinues i Veprimit nën përgjegjësinë e Kryesisë së OVL-UÇK-së, ndërsa, ndër hallkat e para do të jetë ekipi juridik për mbrojtjen.

Sopi: Në koordinim me ekipet mbrojtëse, kur kërkohet siguron hulumtim, ekspertizë dhe dokumentacion plotësues

“Analizon aktgjykimin, çështjet e Apelit, standardin e provës dhe garancitë procedurale. Përgatit Memorandum Juridik për amendamentimin ose shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053, përfshirë analizën e nenit 162 të Kushtetutës dhe pasojat e secilës alternativë. Në koordinim me ekipet mbrojtëse, kur kërkohet, siguron hulumtim, ekspertizë dhe dokumentacion plotësues”, tha ai.

Përpos këtij ekipi do të jetë edhe ekipi institucional për veprim qytetar, ekipi për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diasporë dhe ekipi për dokumentim, histori dhe komunikim.

Sopi tha se ndër kërkesat kryesore janë debati parlamentar me shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Sopi: Ndër kërkesat kryesore debati parlamentar me shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara

“Të kërkohet debat i posaçëm parlamentar dhe me shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa duhet të mbështetet në Memorandum Juridik që analizon bazën kushtetuese, detyrimet relevante dhe pasojat e secilës alternativë. Rivlerësimi duhet të trajtojë edhe raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë trafikimin e organeve, mandatit të gjerë të Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve dhe proceseve”, shtoi Sopi.

Po ashtu kërkohet mbështetja efektive për mbrojtjen në Apel dhe të krijohet monitorim profesional për standardin e gjykimit të drejtë.

Sopi: Të sigurohet mbështetje efektive për mbrojtjen në Apel

“Të sigurohet mbështetje efektive për mbrojtjen në Apel sipas kornizës ligjore, për avokatë, ekspertë, hetues, analiza të provave, përkthime dhe ekspertiza të specializuara. Çdo kufizim që pretendohet se cenon efektivitetin e mbrojtjes duhet të dokumentohet dhe të trajtohet institucionalisht. Fondi i Solidaritetit mund të shërbejë si mbështetje plotësuese, me auditim dhe transparencë të plotë. Të krijohet monitorim profesional për standardin e gjykimit të drejtë, barazinë e armëve, trajtimin e provave, arsyetimin e vendimeve, paraburgimin dhe garancitë procedurale. Raportet duhet të publikohen në shqip dhe anglisht dhe t’u dërgohen institucioneve relevante”, theksoi ai.

Ai bëri të ditur se ekipet e kësaj platforme duhet të krijohen brenda 30 ditëve.

Sopi: Ekipet e kësaj platforme duhet të krijohen brenda 30 ditëve

“Brenda 30 ditëve duhet të krijohen ekipet, të fillojë analiza juridike, të formalizohen kërkesat institucionale dhe të përgatiten dosjet përkatëse. Brenda 90 ditëve duhet të përfundojnë Memorandumi Juridik për Ligjin nr. 05/L-053, raporti i parë për Apelin dhe Dosja Ndërkombëtare. Brenda gjashtë muajve duhet të funksionojnë monitorimi profesional, rrjeti ndërkombëtar dhe i diasporës dhe Arkivi i UÇK-së.

Çdo ekip duhet të ketë drejtues, përgjegjësi, afat dhe rezultat të përcaktuar. Këshilli Koordinues duhet të raportojë çdo 30 ditë për aktivitetet, përgjegjësitë, takimet, shpenzimet dhe rezultatet”, tha Sopi.

Ai shtoi se OVL-UÇK nuk duhet vetëm të reagojë, por edhe të organizojë, dokumentojë dhe veprojë.

Të Ngjashme