Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka diskutuar me përfaqësuesit e Odës së Inxhinierëve të Kosovës për rritjen e mbikëqyrjes profesionale në projekte ndërtimore dhe për zbatimin e masave të sigurisë në vendpunishte.
Në takim me kryetarin e kësaj ode, Arsim Rapuca, dhe anëtarët e Bordit, Pacolli ka theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të inxhinierëve të licencuar në projektet ndërtimore, me qëllim të parandalimit të incidenteve dhe garantimit të sigurisë në punë.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse për të siguruar që në të gjitha vendpunishtet në Kosovë të respektohen ligji dhe standardet e sigurisë.
“Nuk do të tolerojmë punime pa mbikëqyrje profesionale dhe as keqpërdorim të licencave nga inxhinierët e licencuar”, ka theksuar Pacolli.
Ajo ka shtuar se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe projekteve publike, në mënyrë që ato të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për lejet ndërtimore, mbikëqyrjen profesionale dhe angazhimin e inxhinierëve të licencuar.
