Kryeministri Edi Rama edhe sot u shfaq në mëngjes, pak para se të nisë dita e pestë e protestave, duke deklaruar se e drejta e qytetarëve për të protestuar duhet të garantohet, por duke vendosur një vijë ndarëse mes protestës dhe akteve të dhunshme.
Në një dalje publike nga ambientet e një biznesi të dëmtuar, Rama tha se zëri i studentëve, të rinjve dhe çdo qytetari që zgjedh të protestojë duhet të dëgjohet me respekt.
“Ne i respektojmë studentët, e çmoj forcën e ëndrrave dhe shpresave të tyre si motorin e të ardhmes, si shtysën e të gjithëve ne për të ecur përpara”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se e drejta për protestë duhet të mbrohet si një e drejtë themelore.
“Zëri i tyre, i të rinjve dhe i çdo qytetari që sot ka nevojë të protestojë duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet”, tha Rama.
Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të tolerohen veprime që, sipas tij, rrezikojnë rendin apo sigurinë.
“S’do të lejoj askënd dhe asgjë që të rrezikojë të ardhmen e këtij vendi”, deklaroi ai.
