Kuriozitete

Shqiptari u gjet i vrarë në një pus, rrëfehet 29-vjeçari italian: E vrava për borxhin e drogës

Ka marrë një kthesë hetimi për vrasjen e shqiptarit Denaldo Maxhallaku, trupi i të cilit u gjet të mërkurën në një pus në Longiano, në provincën e Forli-Cesenës, në Itali. Një 29-vjeçar italian nga zona e Cesenës ka pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar: “Isha unë”.

Sipas mediave italiane, shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë një konflikt për borxhe të lidhura me drogën. I riu, i cili përdorte lëndë narkotike, kishte grumbulluar një borxh të konsiderueshëm dhe, gjatë debatit me 31-vjeçarin shqiptar, situata dyshohet se ka degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

“U ndjeva i rrethuar”, mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçari, duke pretenduar se kishte frikë për veten dhe familjen e tij. “Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar”, ka thënë ai në përpjekje për të shpjeguar veprimin e tij.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga hetuesit, mbrëmjen e 8 tetorit, ditën kur u zhduk shqiptari, Denaldo Maxhallaku dhe 29-vjeçari ishin takuar në banesën e këtij të fundit. Aty dyshohet se mes tyre nisi një debat që përfundoi tragjikisht, me të shtënat që i morën jetën 31-vjeçarit.

Pas krimit, i dyshuari ka deklaruar se kishte humbur kontrollin dhe se më pas kishte ngarkuar trupin e viktimës për ta fshehur në një pus pranë fushave. Për të zhdukur gjurmët, ai dyshohet se i ka vënë flakën edhe automjetit të shqiptarit.

Denaldo Maxhallaku punonte si bojaxhi dhe banonte në Gatteo a Mare. Ai ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e 8 tetorit, duke i thënë bashkëshortes: “Po shkoj në bar, shihemi sonte”.
Që prej asaj mbrëmjeje, familja nuk kishte më asnjë lajm prej tij, deri në zbulimin e trupit në pus.

Bashkëshortja: Ishte baba i përkushtuar dhe punëtor i madh
Mes dhimbjes për humbjen e bashkëshortit, gruaja e Denaldos ka rrëfyer për mediat italiane se ai ishte një njeri i përkushtuar ndaj familjes dhe vajzës së tyre vetëm njëvjeçare.

“U largua nga shtëpia më 8 tetor, duke thënë: ‘Po shkoj në bar, shihemi sonte’. Ishte një bashkëshort i pranishëm, një baba i kujdesshëm, e donte vajzën tonë vetëm njëvjeçare, ishte shumë punëtor”, ka treguar ajo.

29-vjeçari ndodhet aktualisht në ambientet e karabinierisë në Savignano dhe pritet të transferohet në burgun e Forlit, në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit.

Ndërkohë, për të sqaruar rrethanat e plota të vrasjes, është parashikuar që të shtunën të caktohet eksperti që do të kryejë autopsinë e trupit të 31-vjeçarit.

Të Ngjashme