Lajme

Pal Shtufi: Riza Salihu ishte burimi i dyshimeve për Jusuf Gërvallën, por s’besoj se ishte në shërbim të UDB-së

Pal Shtufi ka rrëfyer për përfshirjen e tij në lëvizjet ilegale shqiptare dhe marrëdhëniet me veprimtarët e asaj kohe, në një intervistë për ciklin “Dosjet” të emisionit Debat Plus.

Shtufi ka treguar se kontaktet e tij të para me lëvizjen ilegale nisën në vitin 1979, ndërsa në vitin 1980 ai u lidh me veprimtarin Riza Salihu në Stuttgart, prej të cilit, siç tha, mori udhëzimet e para për mënyrën e organizimit të një grupi ilegal në Kosovë.

Ai tha se në atë periudhë kishte marrë materiale propagandistike, përfshirë “Zërin e Kosovës”, si dhe mjete për shkrimin e parullave.

Duke folur për figurat e lëvizjes ilegale, Shtufi u ndal edhe te Jusuf Gërvalla, të cilin e kishte takuar në Panairin e Librit në Frankfurt.

Sipas tij, takimi me Gërvallën i kishte lënë përshtypje të veçantë, duke e përshkruar atë si një person me kulturë të gjerë dhe njohje të disa gjuhëve.

“Jusufi ka qenë dallim për të mirë. Ka qenë më i prejshëm, më i ditur. Gjermanishten rrjedhshëm, anglishten rrjedhshëm, serbishten rrjedhshëm”, tha Shtufi.

Ai tregoi se pas takimit me Gërvallën, Riza Salihu kishte reaguar ndaj tij, duke e akuzuar se ishte “titist” dhe “i shitur”.

Shtufi tha se Salihu kishte pasur konflikt me Gërvallën, ndërsa sipas rrëfimit të tij, një prej arsyeve lidhej me faktin se Salihu kishte falsifikuar çelësin e postfahut të Gërvallës dhe për një periudhë kishte marrë korrespondencën që i dërgohej atij.

Të Ngjashme