Lajme

​Panairi i Librit në Prishtinë, Rama paralajmëron hapësira të reja për panaire

Ka nisur sot edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, i cili do të qëndrojë i hapur për pesë ditë në Pallatin e Rinisë, duke mbledhur botues, shkrimtarë dhe dashamirë të librit nga Kosova dhe rajoni.

I pranishëm në hapjen e panairit ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili në një prononcim vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti kulturor dhe foli për planet për krijimin e hapësirave të reja për organizimin e panaireve në kryeqytet.

“Si çdo vit, organizimi i panairit është shumë i mirë. Ne si institucione jemi duke punuar për të krijuar edhe hapësira të tjera, pra një hapësirë edhe më të mirë për panaire. E kemi Pallatin e Rinisë si një hapësirë të mrekullueshme, por tani duhet edhe ta revitalizojmë. Shpresoj që shumë shpejt të transformohen këto hapësira ekzistuese, të renovuara, për të ofruar shërbime edhe më të mira për panaire të ndryshme”, tha Rama.

Ai shtoi se Prishtina ka nevojë edhe për objekte të reja që do t’i shërbenin aktiviteteve të tilla.

“Prishtina ka nevojë edhe për salla të tjera të reja. Në konferencën për investitorë kemi propozuar 19 projekte kapitale dhe kemi interesim nga sektori privat për bashkëinvestime me kryeqytetin. Po i shtyjmë këto procese përpara për të krijuar hapësira të reja që do t’u shërbejnë panaireve të tilla”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës flet edhe për librat që preferon të lexojë.

“Lexoj shumë për psikologjinë, ndikimin e hapësirës në psikologjinë e njeriut, mënyrat holistike të jetesës dhe ndërlidhjen mes shkencës dhe aspektit spiritual. Më intereson ndikimi që kanë këto elemente në hapësirat publike, në vendet ku jetojmë dhe punojmë si dhe rezultati pozitiv që ato sjellin për një jetë më të shëndetshme dhe për një shoqëri më empatike”, u shpreh Rama.

Panairi i Librit në Prishtinë do të vazhdojë deri më 22 qershor, me aktivitete të shumta kulturore, promovime librash dhe takime me autorë.

Të Ngjashme