Lajme

Paraburgim për tre të dyshuar për fajde në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre personave të dyshuar për fajde, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për sulm ndaj personit zyrtar dhe rrezikim të trafikut publik.

Masa ndaj të pandehurve F.S., B.S. dhe A.D. mund të zgjasë deri më 18 shtator 2026, bëri të ditur gjykata.

Sipas komunikatës, F.S. dyshohet për veprën penale “Fajdeja”, kurse B.S. për fajde në bashkëkryerje me A.D., sulm ndaj personit zyrtar dhe rrezikim të trafikut publik.

A.D. ndërkaq, ngarkohet për fajde në bashkëkryerje me B.S.

Gjykata thotë se B.S. dhe A.D., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, dyshohet se kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit, duke shfrytëzuar gjendjen financiare, personale dhe familjare të të dëmtuarit.

Ata dyshohet se më 18 gusht janë kapur në flagrancë duke pranuar para në emër të kamatës.

Gjatë ikjes nga policia, sipas gjykatës, A.D. e kishte marrë shumën e parave dhe kishte dalë nga automjeti në fshatin Vlashnje.

Të dy ishin arrestuar vetëm disa minuta më vonë.

Ndërkaq, F.S. dyshohet se nga një datë ende e papërcaktuar e vitit 2020 ka dhënë para me fajde, duke shfrytëzuar gjendjen e të dëmtuarit.

B.S. dyshohet se gjatë përpjekjes për t’u larguar nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u ndalur dhe e goditi me automjet një zyrtar të forcave të rendit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Gjatë ikjes në drejtim të Vlashnjes, ai dyshohet se, për shkak të shpejtësisë së madhe, goditi edhe një këmbësore, e cila pësoi lëndime të rënda trupore.

Gjykata vlerësoi se provat materiale dhe shkresat e dosjes e mbështesin dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale.

“Vetëm me masën e paraburgimit do të sigurohet prezenca e të pandehurve në këtë fazë të procedurës dhe mbarëvajtja e papenguar e procedurës paraprake”, thuhet në komunikatë, në të cilët potencohet, po ashtu, së të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Të Ngjashme