Lajme

Paralajmërimi i Serwer për planet e Serbisë ndaj veriut, ekspertët: Kosova sot nuk është si dikur!

Njohësi i çështke politike për Ballkan, amerikani Daniel Serwer ka ngritur alarmin lidhur me synimet e Serbisë ndaj Kosovës, duke deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po pret një moment të favorshëm gjeopolitik për të marrë të paktën veriun e Kosovës.

Sipas Serwerit, Serbia nuk synon të marrë tërë territorin e Kosovës, pasi një veprim i tillë do të përballej me rezistencë të fortë dhe pasoja të mëdha për Beogradin.

“Është e qartë se Serbia nën Vuçiq po pret për një mundësi gjeopolitike në të cilën mund të marrin të paktën veriun e Kosovës, sepse s’ka qëllim që të marrë pjesën tjetër të Kosovës, pasi do përballej me një luftë guerrile që do të ishte shkatërruese për Serbinë”, deklaroi ai.

Deklarata e Serwerit vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa veriu i vendit mbetet një nga pikat më të ndjeshme politike dhe të sigurisë në rajon.

Lushaj: Rrethanat e sotme janë krejt ndryshe

Image
Adem Lushaj

Lidhur me këtë Drejtori i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, Adem Lushaj, thekson se kjo deklaratë e Daniel Serwer është paralajmërim për synimet afatgjata të Serbisë ndaj Kosovës. 

Sipas tij, Beogradi vazhdon ta shohë veriun si zonë me interes strategjik, duke e arsyetuar këtë me mbrojtjen e serbëve lokalë.

“Deklarata e Daniel Serwer duhet parë si një paralajmërim për ambiciet afatgjata të Serbisë ndaj Kosovës. Është e qartë se Beogradi vazhdon ta konsiderojë veriun si zonë me interes të veçantë politik dhe strategjik, duke e paraqitur këtë shpesh nën petkun e mbrojtjes së komunitetit serb”, deklaron ai.

Lushaj thekson se rrethanat aktuale janë ndryshe, pasi Kosova ka institucionet e saj, mbështetjen perëndimore, praninë e KFOR-it, UNMIK-ut dhe bazën amerikane Bondsteel. 

Ai ritheksoi se, çdo cenim i integritetit territorial të Kosovës do të ishte sfidë edhe ndaj rendit ndërkombëtar të sigurisë në Ballkan.

“Megjithatë, rrethanat e sotme janë krejt ndryshe. Kosova ka institucionet e saj, mbështetjen e aleatëve perëndimorë, praninë e KFOR-it dhe të UNMIK-ut në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për më tepër, në Kosovë ndodhet edhe baza amerikane e Bondsteel-it, një nga pikat më të rëndësishme strategjike të SHBA-së në rajon. Prandaj, çdo përpjekje për ndryshim të njëanshëm të kufijve apo cenim të integritetit territorial të Kosovës nuk do të ishte vetëm sfidë ndaj Kosovës, por edhe ndaj rendit ndërkombëtar të sigurisë të vendosur në këtë pjesë të Ballkanit”, – foli ai për gazetën.

Berisha: Pretendimi se Serbia po përgatitet aktivisht për marrjen e veriut mbetet, të paktën për momentin, më shumë një vlerësim politik sesa një fakt i dëshmuar

Image
Fidair Berisha

Njohësi i sigurisë, Fidair Berisha, në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se deklarata e Daniel Serwerit nuk është e re, pasi Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën dhe ta konsiderojë pjesë të territorit të saj. 

Berisha potencon se Beogradi ka përdorur çështjen e serbëve lokalë për të ruajtur ndikimin në veri dhe për të penguar forcimin e sovranitetit të Kosovës.

“Mendoj se deklarata e Daniel Serwerit nuk është e re në thelb, nëse e shohim në kontekstin e qëndrimeve që Serbia ka mbajtur vazhdimisht ndaj Kosovës. 

Përkundër faktit se Serbia zyrtarisht deklaron se synon integrimin evropian dhe stabilitetin rajonal, ajo ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon ta konsiderojë atë pjesë të territorit të saj.

Në këtë kontekst, veriu i Kosovës ka qenë prej vitesh një pikë e ndjeshme politike dhe strategjike. 

Sipas vlerësimeve të shumë analistëve, Beogradi e ka përdorur çështjen e serbëve lokalë si instrument për të ruajtur ndikimin e tij në atë zonë dhe për të penguar konsolidimin e plotë të sovranitetit të Kosovës”, nënvizoi ai. 

Berisha thotë se pretendimet për marrjen e veriut mbeten vlerësime politike, por nuk përjashton skenarë të ndryshëm për të ardhmen. 

Ai thekson se angazhimi i SHBA-së dhe BE-së është kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

“Megjithatë, pretendimi se Serbia po përgatitet aktivisht për marrjen e veriut mbetet, të paktën për momentin, më shumë një vlerësim politik sesa një fakt i dëshmuar. Megjithatë, kur kemi parasysh historinë dhe faktin se pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë ndryshuar në thelb ndër vite, nuk mund të përjashtohet asnjë skenar për të ardhmen.

Sa i përket dimensionit ndërkombëtar, vlerësoj se niveli i angazhimit të SHBA-së dhe BE-së ndikon drejtpërdrejt në dinamikat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çdo dobësim i vëmendjes së partnerëve perëndimorë mund të krijojë më shumë hapësirë për veprime politike apo presione nga aktorë të ndryshëm rajonalë. Pikërisht për këtë arsye, besoj se ruajtja e interesimit dhe e pranisë aktive të SHBA-së dhe BE-së në Ballkan mbetet një faktor kyç për stabilitetin, sigurinë dhe paqen afatgjatë në rajon”, – përmbyll ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme