Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar një rast të tentim-kontrabandimit të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Prush.
Gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të Republikës së Kosovës, drejtuesi deklaroi se nuk kishte mallra apo mjete monetare për deklarim.
Megjithatë, kontrolli i detajuar zbuloi 504 copë Barium Sulfate (Bariumsulfate) të padeklaruara, të fshehura në bagazhin e automjetit.
Sipas Doganës, personi ka tentuar të fusë mallrat në territorin doganor pa i paraqitur për kontroll dhe pa i deklaruar, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Mallrat janë ndaluar dhe sekuestruar, ndërsa ndaj rastit do të zhvillohen procedurat administrative dhe kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, si dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg. Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, Dogana do të vazhdojë të ndërmarrë masa të vendosura për parandalimin dhe goditjen e çdo forme të veprimtarisë së kundërligjshme në pikat kufitare dhe në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftim./teve1.info/
