Java e ardhshme pritet të karakterizohet me mot kryesisht të qëndrueshëm në vend, ku do të alternohen intervalet me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas parashikimeve meteorologjike, vetëm dita e premte mund të sjellë reshje të dobëta shiu në disa zona.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga -1°C deri në 8°C, me vlerat më të ulëta në zonat malore, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 18°C deri në 25°C. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, kryesisht nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.
“Këto kushte konsiderohen të favorshme për bujqësinë, pasi rritja e temperaturave dhe rrezatimi diellor ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e kulturave pranverore. Lagështia në tokë mbetet e kënaqshme falë reshjeve të mëparshme, duke ndihmuar në mbirjen dhe rritjen e bimëve. Megjithatë, fermerëve u rekomandohet kujdes në fillim të javës për shkak të temperaturave të ulëta minimale, të cilat mund të shkaktojnë ngrica në disa zona”, njofton Instituti.
Të hënën moti do të jetë kryesisht me diell, me vranësira të shpërndara në zonat malore. Temperaturat minimale nga -1 deri në 2°C, ndërsa maksimalet 18-22°C. Era nga veriperëndimi, 1-3 m/s.
Ditën e martë do të mban mot me diell dhe vranësira të lehta. Temperaturat minimale 1-4°C, maksimalet 21-24°C. Era nga verilindja, 1-5 m/s.
Të mërkurën moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale 4-8°C, maksimalet 21-24°C. Era kryesisht nga veriperëndimi, 1-5 m/s.
Ndërsa, të enjten do të mban mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale 4-8°C, maksimalet 20-25°C. Era nga veriperëndimi, 1-6 m/s.
Ditën e premte moti do të jetë i vranët me intervale me diell. Vranësirat vende-vende do të sjellin riga lokale shiu. Temperaturat minimale 4-8°C, maksimalet 19-22°C. Era nga veriperëndimi, 1-6 m/s.
