Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili çoi në arrestimin e katër personave të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Përmes një postimi, Sveçla ka mirëpritur aksionin, duke bërë të ditur se janë arrestuar dy zyrtare të Divizionit për të Huaj, një zyrtare e Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas i huaj.
Sipas tij, ekziston dyshimi se të arrestuarit, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare dhe ndërmjetësuese, me qëllim të përfitimit financiar, kanë ofruar shërbime për palët duke anashkaluar procedurat ligjore.
“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore”, ka shkruar Sveçla.
Postim i plotë:
Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore.
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik. Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë.
Luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët. Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve.
