Të dielën e kaluar në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat kanë sjellë një situatë të re politike në vend dhe kanë hapur diskutime për formimin e institucioneve të ardhshme.
Pas këtyre zgjedhjeve, ish-presidentja e Kosovës dhe bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit në një intervistë për CNN.
Sipas saj, qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë përmes votës së tyre, duke kërkuar më shumë bashkëpunim dhe gatishmëri për kompromis mes partive politike.
Osmani ka theksuar se nuk ka vend për “one man show”, një deklaratë që është interpretuar si kritikë ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Mendoj se zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë: ata duan kompromis mes forcave politike dhe nuk ka vend për ‘one man show’”, është shprehur ajo për CNN.
Analistët i kanë komentuar këto deklaratat të Osmanit. Ata vlerësojnë se ish-presidentja po shihet si faktor përçarës në skenën politike dhe si një nga figurat kryesore që ka ndikuar në bllokadat institucionale.
Sipas tyre, ajo akuzohet për kalkulime politike dhe për qëndrime që kanë ndryshuar varësisht nga situata, duke u interpretuar si ambicie për karrierë dhe përqendrim në pozita të larta shtetërore.
Muçiqi për Osmanin: Ka shkaktuar përçarje dhe bllokada politike
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Osmani është përgjegjëse kryesore për bllokadën.

Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ismail Muçiqi
“Koha po tregon se ish-Presidentja Vjosa Osmani është fajtorja kryesore për bllokadën e fundit për zgjedhjen e Presidentit/es të Kosovës. Këtë po e pohojnë edhe ish partiakët dhe ish bashkëpunëtorët e saj që dikur ishin krahë për krahë me të në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Vjosa Osmani dëshmoi se është figurë e cila ka krijuar probleme dhe përçarje sa ishte në LDK duke e injoruar ish partinë e saj për të arritur pozita sa më të larta në institucionet e Republikës së Kosovës. Andaj fajtore kryesore që vendi shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme, ishte vetë Vjosa Osmani”, ka thënë ai.
Tutje, Muçiqi ka theksuar se Osmani ka bërë deklarata kontradiktore dhe “kalkulime politike” sa herë që i është rrezikuar karriera.
Ai shton se kalimi i saj në LDK dhe marrja e rolit si bartëse liste tregon aspirata kryesisht karrieriste për të qëndruar në pushtet.
“Mendoj sa herë që i është rrezikuar pozita apo karriera politike Vjosa Osmanit ajo ka bërë jo vetëm deklarata kontradiktore, por edhe kalkulime dhe eskivime për të arritur në maje të piramidës së shtetit. Vetë fakti se ajo kaloi në Lidhjen Demokratike dhe mori përgjegjësi si bartëse e listës tregon se aspiratat e saja karrieriste ishin synim kryesorë për të mbetur në pushtet”, është shprehur Muçiqi për “Bota sot”.
“Heshtja shpesh është art” – Mehmeti kritikon deklaratat e Osmanit
Ndërkaq, opinionisti Gani Mehmeti për “Bota sot” ka potencuar se deklarata e Osmanit pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 ishte e nxituar dhe e pamatur.

Gani Mehmeti
Ai ka kritikuar faktin që ajo kërkoi publikisht edhe një mandat tjetër si presidente, duke thënë se kjo mund të shihet si karrierizëm politik dhe nuk ndihmon procesin.
“Deklarata e Vjosa Osmanit, ish kryetares së Kosovës, menjëherë pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor 2026, ishte paksa e nxituar dhe e pamatur, kur bëhej fjalë për të, e cila, e tha, se tani nuk ka arsye Lëvizja Vetëvendosje të mos e pranojë kandidaturën e saj për kryetare të Kosovës edhe për një mandat të dytë. Kur, pikërisht për këtë, vendi kishte shkuar në zgjedhjet e fundit.
Disi, është e vështirë të kërkohet një post, madje posti më i lartë i shtetit për vete. Këtë e them kështu, sepse nuk është e nevojshme dhe se shpeshherë, kjo keqinterpretohet tek ne, pse aty shfaqet jo vetëm dëshira e individit, por disi merret për karrierizëm politik, duke injoruar të gjithë të tjerët, sikur nuk ka më të mirë se ai apo ajo. Nuk i ndihmon zgjidhjes. Kërkesën do duhej ta lë për dikë tjetër ta bëjë. Ajo nuk ka qenë dashur fare të deklarohet tani për postin e kryetares, se ishte e kandiduar për kryetare, është parë që nga mandatimi për deputete brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës si bartëse e LDK në zgjedhje. Prandaj, heshtja, shpeshherë, është ar”, ka vlerësuar ai.
Gjithashtu, opinionisti ka shtuar se Osmani tani po kërkon kompromis politik, por kjo është bërë më e vështirë.
Siç ka shpjeguar Mehmeti, disa deputetë të LVV-së janë kundër saj, dhe mund të mos arrihet votat e nevojshme në Kuvend.
“Si opinionist, unë kam qenë për Vjosën kryetare të Kosovës prej vitit 2020, dhe atëherë doli ashti si pata shkruar. Edhe për mandatin e dytë kam qenë për të, por reagimi jo i mirë i saj ndaj kryeministrit pas përfundimit të mandatit, dekreti i nxituar mbi shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe shumë deklarata të tjera nëpër media, e dobësuan më shumë mundësinë e zgjedhjes së saj për kryetare edhe mandatin e dytë.
Me gjasë, këto gabime të bëra, i ka vërejtur dhe tani, në intervistën për CNN, duke kërkuar kompromisin. Edhe këtu, mendohet tek kompromisi me LDK-në, përmes së cilës do të kandidohej për kryetare dhe se këtë do ta pranonte edhe LVV, çka, tani është vështirësuar tejmase, sepse kohën e fundit dolën haptas edhe disa deputetë të LVV kundër Vjosës, që lë të kuptohet se, edhe po dashti ta pranojë Kurti, nuk do i marrë votat e disa deputetëve dhe zor se do të arrihet kuorumi për zgjedhjen e saj”, ka cilësuar ai.
Mehmeti ka shtuar se deklarata e Osmanit për “mungesë të show-t të një njeriu” i drejtohet indirekt Albin Kurtit dhe e konsideron të pamatur, sidomos duke marrë parasysh synimin e saj për një mandat të dytë si presidente.
“Ajo ka theksuar se qytetarët, përmes votës së tyre, kanë kërkuar nga partitë politike të tregojnë vullnet për kompromis dhe bashkëpunim, duke nënvizuar se nuk ka vend për “show të një njeriu”. Këtu, pikërisht kjo “nuk ka vend për show të një njeriu”, që drejtpërdrejt i drejtohet Albin Kurtit, është thënia më e pamatur e saj, aq më shumë kur pretendon të zgjidhet kryetare e Kosovës edhe një mandat.
Me sulme ndaj kryeministrit dhe partisë prej së cilës kërkon ta mbështesë për kryetare, do të thotë sikur është kundër kërkesës së vetë.
Vjosa e nxori jashtë krejt revoltën e inatin ndaj Albin Kurtit dhe kjo është e dëmshme në radhë të parë për të, më shumë sesa për Albinin. Me këtë, nuk do të thotë se Albini është dorëzuar e nuk ka çka të thotë kundër deklaratave të tij, por se nuk i takon të merret, dhe mirë bën që nuk flet Kurti”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.
